Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

Zanafilla 41:1-13

41 Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi,

dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe.

Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit.

Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua.

Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm.

Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre.

Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr.

Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t’ia interpretonte Faraonit.

Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: "Sot kujtoj gabimet e mia.

10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin.

11 Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij.

12 Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij.

13 Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin".

1 e Korintasve 4:1-7

Kështu njeriu, pra, le të na mbajë për shërbëtorë të Krishtit dhe si administratorë të mistereve të Perëndisë.

E tjetra që kërkohet nga administratorët, është që secili të gjendët besnik.

Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore; madje as vetveten nuk e gjykoj.

Sepse nuk jam i vetëdijshëm për asnjë faj, por për këtë nuk jam justifikuar, por ai që më gjykon është Zoti.

Prandaj mos gjykoni asgjë para kohe derisa të vijë Zoti, që do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia.

Dhe tani, o vëllezër, për të mirën tuaj, ia kalova këto gjëra vetes sime dhe Apolit, që nëpërmjet nesh të mësoni që të mos mendoni përtej asaj që është shkruar, që të mos krekoset ndonjë prej jush, njeri kundër tjetrit.

Sepse çfarë të bën të ndryshëm? Çfarë ke ti që nuk e ke marrë? Dhe, nëse e ke marrë, pse krenohesh sikur nuk e ke marrë?

Marku 2:23-3:6

23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

24 Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?.”

25 Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç’bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç’qenë me të?.”

26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?.”

27 Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”

Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.

Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.

Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: “Çohu në mes të të gjithëve!.”

Dhe u tha atyre: “A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?.” Por ata heshtnin.

Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.

Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.