Book of Common Prayer
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.
6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,
7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;
8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)
9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,
10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.
11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,
12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".
13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.
14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.
16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.
2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.
3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.
4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.
5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.
6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,
8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.
9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.
10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.
2 Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)
3 Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.
4 Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.
5 A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?
6 A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?
7 Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.
8 Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.
9 Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.
10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.
11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.
12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.
13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.
86 Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar.
2 Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.
3 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën.
4 Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim.
5 Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.
6 Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.
7 Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.
8 Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.
9 Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.
10 Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.
11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.
12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.
13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.
14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.
15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.
16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.
17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.
30 Dhe ndodhi që, pikërisht kur Isaku kishte mbaruar së bekuari Jakobin dhe ky sapo ishte larguar nga prania e të atit Isak, vëllai i tij Esau u kthye nga gjahu.
31 Edhe ai përgatiti një gjellë të shijshme dhe ia shpuri babait të tij dhe i tha: "Çohu ati im dhe ha nga gjahu i birit tënd, me qëllim që shpirti yt të më bekojë".
32 Isaku, babai i tij, i tha: "Kush je ti?". Ai u përgjegj: "Jam Esau, biri yt i parëlindur".
33 Atëherë Isakun e zunë ca të dridhura shumë të forta dhe i tha: "Kush është ai, pra, që gjuajti gjahun dhe ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti dhe e bekova; dhe i bekuar ka për të mbetur ai".
34 Me të dëgjuar fjalët e të atit, Esau dha një ulurimë të fortë dhe shumë të hidhur. Pastaj i tha të atit: "Bekomë edhe mua, ati im!".
35 Por Isaku iu përgjigj: "Yt vëlla erdhi me mashtrim dhe mori bekimin tënd".
36 Esau i tha: "Jo më kot është quajtur Jakob? Ai ma zuri vendin deri tani dy herë: më hoqi parëbirninë dhe ja tani po merr bekimin tim". Pastaj shtoi: A nuk ke ruajtur një bekim për mua??".
37 Atëherë Isaku u përgjegj dhe i tha Esaut: "Ja, unë e bëra zotrinë tënd dhe i dhashë tërë vëllezërit e tij si shërbëtorë, dhe e pajisa me grurë dhe me verë; ç’mund të bëj për ty, biri im?".
38 Esau i tha babait të tij: "A ke vetëm këtë bekim, ati im? Bekomë edhe mua, o ati im!". Dhe Esau ngriti zërin dhe qau.
39 Isaku, babai i tij, u përgjigj duke i thënë: "Ja, banesa jote do të privohet nga pjelloria e tokës dhe nga vesa që zbret nga lartësia e qiellit.
40 Ti do të jetosh me shpatën tënde dhe do të jesh shërbëtori i vëllait tënd; por do të ndodhë që, kur do të luftosh, do ta thyesh zgjedhën e tij nga qafa jote".
41 Kështu Esau filloi ta urrejë Jakobin për shkak të bekimit që i kishte dhënë i ati, dhe tha në zemër të vet: "Ditët e zisë për babanë po afrohen; atëherë do të vras vëllanë tim Jakobin".
42 Kur i treguan Rebekës fjalët e Esaut, birit të saj më të madh, ajo dërgoi ta thërrasin birin e saj më të vogël, Jakobin, dhe i tha: "Ja, Esau, yt vëlla, ngushëllohet ndaj teje, duke menduar të të vrasë.
43 Prandaj, biri im, bindju fjalëve që të them: Çohu dhe ik shpejt në Haran te Labano, vëllai im;
44 dhe qëndro ca kohë me të, deri sa t’i kalojë zemërimi vëllait tënd,
45 deri sa mëria e vëllait tënd të largohet prej teje dhe ai të harrojë atë që i ke bërë; atëherë do të dërgojë njerëz që të të marrin prej andej. Pse duhet t’ju humbas që të dyve brënda një dite të vetme?".
9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.
10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.
11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,
12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;
13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.
17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”
20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”
21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
21 Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: “Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.”
22 Prandaj Judenjtë thoshnin: “Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?.”
23 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.
24 Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.”
25 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?.” Dhe Jezusi u tha atyre: “Pikërisht atë që ju thashë.
26 Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës.”
27 Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin.
28 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.
29 Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.”
30 Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të.
31 Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;
32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”