Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 104

104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,

11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.

12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.

13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.

14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;

17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.

18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.

19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.

20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.

21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.

22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.

23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;

26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.

27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.

28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.

29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.

30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.

31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;

32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.

33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.

34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.

35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

Isaia 61:1-9

61 Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve,

të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen,

për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar, me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e tij.

Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.

Të huajtë do të vijnë të kullosin kopetë tuaja, bijtë e të huajit do të jenë bujq tuaj dhe vreshtarë tuaj.

Por ju do të quheni "priftërinj të Zotit" dhe do të quheni "ministra të Perëndisë tonë". Ju do të gëzoni pasuritë e kombeve, dhe lavdia e tyre do të kalojë te ju.

Në vend të turpit tuaj do të keni një nderim të dyfishtë; në vend të hutimit do të ngazëllojnë në trashëgiminë e tyre. Prandaj në vendin e tyre do të zotërojnë dyfishin dhe do të kenë një ngazëllim të përjetshëm.

Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë, urrej vjedhjennë olokaust: unë do t’u jap atyre me besnikmëri shpërblimin dhe do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme.

Pasardhësit e tyre do të jenë të njohur ndër kombet dhe brezi i tyre ndër popuj; tërë ata që do t’i shohin do t’i njohin, sepse ata janë një fis i bekuar nga Zoti.

Galatasve 3:23-29

23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.

24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.

25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,

26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.

27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.

28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.

29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.

Galatasve 4:4-7

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”

Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.