Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 87

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

Psalmet 90

90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Psalmet 136

136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Jeremia 13:1-11

13 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë".

Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia.

Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë:

"Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi".

Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti.

Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje".

Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë.

Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit.

10 Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.

11 sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës," thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"".

Romakëve 6:12-23

12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta.

13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.

14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.

15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!

16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?

17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.

18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.

19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.

20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë.

21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja.

22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.

23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Gjoni 8:47-59

47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.”

48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: “A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?.”

49 Jezusi u përgjigj: “Unë s’kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.

50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.

51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë.”

52 Pra Judenjtë i thanë: “Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".

53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?.”

54 Jezusi u përgjigj: “Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s’është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.

55 Por ju ende s’e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.

56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua.”

57 Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?.”

58 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.”

59 Atëherë ata morën gurë, që t’i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.