Book of Common Prayer
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
20 Lajmëroni për këtë shtëpinë e Jakobit dhe shpalleni në Judë, duke thënë:
21 Dëgjoni tani këtë, o popull pa mend dhe pa zemër, që ka sy, por nuk shikon, që ka veshë, por nuk dëgjon.
22 Nuk do të keni frikë prej meje?," thotë Zoti, "nuk do të dridheni para meje që kam vënë rërën si kufi të detit, si një statut të përjetshëm që nuk do të kapërcejë kurrë? Valët e tij ngrihen por nuk fitojnë, bëjnë zhurmë, por nuk e kapërcejnë.
23 Por ky popull ka një zemër kryeneçe dhe rebele; kthehen prapa dhe ikin.
24 Nuk thonë në zemër të tyre: "Kemi frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që na jep shiun në kohën e duhur, i pari dhe i fundit shi, që mban për ne javët e caktuara për korrje".
25 Paudhësitë tuaja i kanë përmbysur këto gjëra dhe mëkatet tuaja mbajnë larg jush begatinë.
26 Sepse midis popullit tim ka njerëz të këqij që përgjojnë si gjuetarët e zogjve në pritë; ata vënë leqe dhe kapin njerëz.
27 Ashtu si një kafaz është plot me zogj, kështu shtëpitë e tyre janë plot mashtrim; prandaj bëhen të mëdhenj dhe pasurohen.
28 Majmen dhe begatohen; po, kalojnë madje kufijtë e së keqes. Nuk mbrojnë çështjen, çështjen e jetimit, dhe megjithatë; nuk mbrojnë të drejtën e të varfërve.
29 A duhet t’i dënoj për këto gjëra?," thotë Zoti. "Dhe a nuk do të hakmerrem me një komb të tillë?
30 Në vend është kryer një gjë e tmerrshme dhe shumë e shëmtuar:
31 profetët profetizojnë në mënyrë të rreme, priftërinjtë qeverisin duke u mbështetur në forcën e autoritetit të vet dhe popullit tim i pëlqen që gjendja është e tillë. Por çfarë do të bëni kur të vijë fundi?".
19 Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t’i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë,
20 sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit.
21 Por tani, pavarësisht nga ligji, është manifestuar drejtësia e Perëndisë, për të cilën dëshmojnë ligji dhe profetët,
22 madje drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim;
23 sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,
24 por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus.
25 Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë,
26 për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.
27 Ku është, pra, mburrja? Éshtë përjashtuar. Nga cili ligj? Ai i veprave? Jo, por nga ligji i besimit.
28 Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.
29 A është vallë Perëndia vetëm Perëndia i Judenjve? A nuk është edhe i johebrenjve? Sigurisht, është edhe Perëndia i johebrenjve.
30 Sepse ka vetëm një Perëndi, që do të shfajësojë të rrethprerin nëpërmjet besimit, dhe të parrethprerin me anë të besimit.
31 Anulojmë ne, pra, ligjin nëpërmjet besimit? Kështu mos qoftë; përkundrazi e forcojmë ligjin.
7 Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.
2 Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.
3 Prandaj vëllezërit e tij i thanë: “Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t’i shohin veprat që ti bën.
4 Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!.”
5 Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.
6 Atëherë Jezusi u tha aytre: “Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.
7 Bota nuk mund t’ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.
8 Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.”
9 Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.
10 Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.
11 Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: “Ku është ai?.”
12 Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: “Ai është i mirë!.” Të tjerë thoshnin: “Jo, madje ai e mashtron popullin.”
13 Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.