Book of Common Prayer
95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.
2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.
3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.
5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.
6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".
69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.
36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
5 Shkoni rreth e rrotull nëpër rrugët e Jeruzalemit; shikoni dhe binduni, dhe kërkoni në sheshet e tij në rast se gjeni një njeri, një njeri të vetëm që zbaton drejtësinë, që kërkon të vërtetën, dhe unë do ta fal.
2 Edhe kur thonë: "Zoti rron," me siguri betohen për atë që është e gënjeshtërt.
3 O Zot, nuk janë sytë e tu për të vërtetën? Ti i godite, por ata nuk ndjenë asnjë dhembje; i ke konsumuar, por kanë refuzuar të pranojnë korrigjimin. Ata e ngurtësuan fytyrën e tyre më tepër se shkëmbi dhe nuk pranuan të kthehen.
4 Prandaj thashë: "Ata janë me siguri të varfër, janë pa mend sepse nuk njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre.
5 Do të shkoj, pra, te të mëdhenjtë dhe do t’u flas atyre, sepse ata e njohin rrugën e Zotit, ligjin e Perëndisë së tyre". Por edhe ata bashkë kanë shkallmuar zgjedhën dhe i kanë këputur verigat.
6 Prandaj luani i pyllit i vret, ujku i shkretëtirës i shkatërron, leopardi rri në pritë afër qyteteve të tyre; kushdo që del prej tyre copëtohet, sepse shkeljet e tyre janë të shumta, rebelimet e tyre janë shtuar.
7 "Si do të mund të të falja për këtë? Bijtë e tu më kanë braktisur dhe betohen për ata që nuk janë perëndi. Unë i kam ngopur, por ata kanë shkelur kurorën dhe mbushin shtëpitë e kurvërimit.
8 Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.
9 A nuk do t’i dënoj unë për këto gjëra?," thotë Zoti, "dhe nuk do të hakmerrem unë me një komb të tillë?
25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.
26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?
27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?
28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;
29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.
3 Cila është, pra, përparësia e Judeut, ose cila është dobia e rrethprerjes?
2 E madhe në çdo mënyrë; para së gjithash sepse orakujt e Perëndisë iu besuan atyre.
3 Ç’të thuash atëherë? Në qoftë se disa nuk besuan, mosbesimi i tyre do ta anulojë, vallë, besnikërinë e Perëndisë?
4 Kurrë mos qoftë; përkundrazi, qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar, siç është shkruar: “Që ti të shfajësohesh në fjalët e tua dhe të ngadhënjesh kur të gjykohesh.”
5 Po në qoftë se padrejtësia jonë e vë në pah drejtësinë e Perëndisë, ç’do të themi? Perëndia qënka i padrejtë kur shfren zemërimin e tij? (Unë flas si njeri).
6 Kurrë mos qoftë! Sepse atëherë, si do ta gjykonte Zoti botën?
7 Prandaj në qoftë se me anë të gënjeshtrës sime e vërteta e Perëndisë e lartëson lavdinë e tij, përse unë gjykohem akoma si mëkatar?
8 E përse të mos themi si disa që, duke shpifur, pohojnë se ne themi: “Të bëjmë të keqen që të vijë e mira”? Dënimi i këtyre është i drejtë.
9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat,
10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.
11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.
12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një.
13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre;
14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;
15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak;
16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë,
17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes;
18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre.”
30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.
31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.
33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.
34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.
35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.
36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.
37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,
38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.
39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.
40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.
41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.
42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.
43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.
44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?
45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;
46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.
47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”