Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 56-58

56 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.

Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.

Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.

Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.

Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën.

Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt.

Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?

Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.

10 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij.

11 Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

12 Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj.

13 Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve.

57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.

Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.

Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.

Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.

U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.

Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)

Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.

Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.

Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,

10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.

11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.

58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?

Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.

Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.

Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,

për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.

O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.

U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.

U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.

Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.

10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.

11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

Psalmet 64-65

64 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.

Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.

Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura

për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.

I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t’i parë?".

Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.

Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.

Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t’i parë do të tundë kokën.

Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.

10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.

65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.

Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.

Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.

Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.

Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.

Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.

Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

Jeremia 1:11-19

11 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua mua, duke thënë: "Jeremia, çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një degë bajameje".

12 Zoti më tha: "Ke parë mirë, sepse unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt".

13 Fjala e Zotit m’u drejtua për herë të dytë, duke thënë: "Çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një vorbë që zien dhe që e ka grykën të kthyer në drejtim të kundërt me veriun".

14 Zoti më tha: "Nga veriu fatkeqësia do të bjerë mbi gjithë banorët e vendit.

15 Sepse, ja, unë po bëhem gati të thëras tërë popujt e mbretërive të veriut, thotë Zoti. Ata do të vijnë dhe do të vendosin secili fronin e tij në hyrje të portave të Jeruzalemit, kundër tërë mureve të tij, rreth e qark, dhe kundër tërë qyteteve të Judës.

16 Atëherë do të shpall mendimet e mia kundër tyre, për shkak të gjithë ligësisë së tyre, sepse më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera dhe kanë rënë përmbys përpara veprës së duarve të tyre.

17 Prandaj ngjeshi ijët e tua, çohu dhe thuaju atyre tërë ato që do të të urdhëroj. Mos u tmerro para tyre, përndryshe do të të bëj që të tmerrohesh para tyre.

18 Ja, sot po të bëj një qytet të fortifikuar, një shtyllë të hekurt dhe një mur bronzi kundër gjithë vendit, kundër princave të tij dhe priftërinjve të tij dhe kundër popullit të vendit.

19 Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".

Romakëve 1:1-15

Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,

siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,

lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit,

i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë,

me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij,

ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti;

për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti.

Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.

Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj,

10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,

11 sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.

12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.

13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.

14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.

15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.

Gjoni 4:27-42

27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: “Çfarë do?” ose: “Pse po flet me të?.”

28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:

29 “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?.”

30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.

31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: “Mësues, ha.”

32 Por ai u tha atyre: “Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.”

33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: “Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?.”

34 Jezusi u tha atyre: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.

35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.

36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.

37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".

38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre.”

39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Ai më tregoi gjithçka kam bërë.”

40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.

41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.

42 Dhe ata i thoshnin gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës.”