Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:145-176

145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.

146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.

147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.

148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.

150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.

151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.

152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.

153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.

154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.

155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.

156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.

157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.

158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.

159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.

160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.

161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.

162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.

163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.

164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.

165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.

166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.

167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.

168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.

169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.

170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.

171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.

172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.

173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.

174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.

175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.

176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.

Psalmet 128-130

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.

129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:

"Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.

Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".

Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.

U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;

nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;

dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

Ruthi 2:1-13

Naomi kishte një fis të burrit të saj, një njeri të fuqishëm dhe të pasur, nga familja e Elimelekut, që quhej Boaz.

Ruthi, Moabitja, i tha Naomit: "Lermë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir". Ajo iu përgjegj: Shko, bija imee".

Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.

Por ja, që Boazi erdhi në Betlehem dhe u tha korrësve: "Zoti qoftë me ju!". Ata iu përgjigjën: "Zoti të bekoftë!".

Pastaj Boazi i tha shërbëtorit të tij të caktuar të mbikqyrë korrësit: "E kujt është kjo vajzë?".

Shërbëtori i caktuar të mbikqyrë korrësit u përgjigj: "Éshtë një vajzë moabite, që është kthyer me Naomin nga vendi i Moabit.

Ajo na tha: "Ju lutem, më lini të mbledh kallinjtë midis demeteve prapa korrësve". Kështu ajo erdhi dhe qëndroi nga mëngjesi deri tani; pushoi vetëm një çast në shtëpi".

Atëherë Bozai i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia.

Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët".

10 Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arësye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?".

11 Boazi iu përgjegj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë.

12 Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perënedisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!".

13 Ajo i tha: "Le të arrij të më shikosh me sy të mirë, o imzot, sepse ti më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores sate, megjithëse unë nuk jam as sa një nga shërbëtoret e tua".

2 e Korintasve 1:23-2:17

23 Dhe unë e thërres Perëndinë për dëshmitar mbi jetën time që, për t’ju kursyer, nuk kam ardhur ende në Korint.

24 Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorët e gëzimit tuaj, sepse për shkak të besimit ju qëndroni të patundur.

Por unë kisha vendosur në veten time të mos vij përsëri te ju me hidhërim.

Sepse, në qoftë se unë ju hidhëroj, kush do të më gëzojë mua, në mos ai vetë që u hidhërua prej meje?

Dhe ju shkrova në këtë mënyrë që, kur të vij, të mos kem trishtim nga ata që duhet të më gëzonin, duke pasur besim në ju të gjithë, se gëzimi im është i të gjithë juve.

Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju.

Edhe në qoftë se dikush ka shkaktuar trishtim, s’më ka hidhëruar vetëm mua, por deri diku, pa e tepruar, ju të gjithë.

Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë nga shumica,

por tani, përkundrazi, ju duhet më tepër ta falni atë dhe ta ngushlloni, që ai njeri të mos gëlltitet nga trishtimi i tepërt.

Prandaj ju lutem t’i shfaqni dashuri,

sepse ju shkrova edhe për këtë, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të dëgjueshëm në çdo gjë.

10 Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë, sepse edhe unë, nëse kam falur gjë, kujtdo që t’ia kem falur, e bëra për ju përpara Krishtit,

11 që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij.

12 Dhe, kur arrita në Troas për ungjillin e Krishtit edhe m’u hap një derë në Zotin,

13 nuk gjeta prehje në frymën time, sepse nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim; prandaj, si u përshëndeta me ta, shkova në Maqedoni.

14 Por, falem nderit Perëndisë, që na bën të ngadhnjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet.

15 Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin;

16 për këta një erë vdekjeje në vdekje, po për ata erë jete në jetë. Dhe kush është i zoti për këto?

17 Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin.

Mateu 5:21-26

21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit";

22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka," do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: "Budalla," do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.

23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,

24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.

25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.

26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.