Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 131-135

131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.

Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.

Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

Zakaria 13

13 "Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.

Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të shfaros nga vendi emrat e idhujve, që nuk do të kujtohen më; do të zhduk gjithashtu profetët nga vendi dhe frymën e papastër.

Dhe do të ndodhë që, në se dikush do të profetizojë akoma, i ati dhe e ëma që e kanë lindur do t’i thonë: "Ti s’ke për të jetuar, sepse shqipton gënjeshtra në emër të Zotit". Kështu i ati dhe e ëma që e kanë lindur do ta therin, sepse ai profetizon.

Atë ditë do të ndodhë që secili profet do të ndiejë turp për vegimin e vet, kur të profetizojë dhe nuk do të veshë më qyrkun për të mashtruar.

Po secili do të thotë: "Unë nuk jam profet, jam bujk; dikush më ka mësuar të rris bagëtinë që në rininë time".

Pastaj në qoftë se dikush do t’i thotë: "Çfarë janë këto plagë që ke në duart e tua?," ai do të përgjigjet: "Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi"".

"Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im," thotë Zoti i ushtrive. "Godite bariun dhe delet le të shpërndahen; pastaj do ta drejtoj dorën time kundër të vegjëlve.

Dhe në gjithë vendin do të ndodhë," thotë Zoti, "që dy të tretat do të shfarosen dhe do të vdesin, por një e treta do të mbetet.

Këtë të tretë do ta bëj të kalojë nëpër zjarr, do ta rafinoj ashtu si rafinohet argjendi dhe do ta vë në provë ashtu si provohet ari. Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t’i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im".

Efesianëve 1:15-23

15 Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve,

16 nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia,

17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij,

18 dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,

19 dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij,

20 të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore,

21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme,

22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,

23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.

Luka 19:11-27

11 Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.

12 Tha, pra: “Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.

13 Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".

14 Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".

15 Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.

16 Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";

17 dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".

18 Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";

19 dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".

20 Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,

21 sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".

22 Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;

23 përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".

24 Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".

25 Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".

26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka.

27 Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!".”