Book of Common Prayer
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.
20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.
21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?
22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.
23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.
11 Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua.
12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj dhe bënte që dheu dhe banorët e tij të adhurojnë bishën e parë, së cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.
13 Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve,
14 dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës, duke u thënë banorëve të dheut t’i bëjnë një figurë bishës, që kishte plagën e shpatës dhe u kthye në jetë.
15 Dhe iu dha t’i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin.
16 Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,
17 dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.
18 Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.
33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.
34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”
35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.
36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.
37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë.
38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.
39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë.
40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.”
41 Dhe Pjetri i tha: “Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua vetëm për ne apo për të gjithë?.”
42 Dhe Zoti tha: “Kush është, pra, ai administrues besnik dhe i mençur, që do ta verë zotëria përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë atyre racionin e ushqimeve në kohën e duhur?
43 Lum ai shërbëtor të cilin zotëria e tij, kur kthehet, e gjen se vepron kështu.
44 Në të vërtetë po ju them se ai do ta vërë mbi gjithë pasurinë e vet.
45 Por, nëse ai shërbëtor mendon në zemër të vet: "Zotëria im vonon të kthehet" dhe fillon t’i rrahë shërbëtorët dhe shërbëtoret, të hajë, të pijë dhe të dehet,
46 zotëria e atij shërbëtori do të vijë ditën kur nuk e pret, dhe në orën që ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i caktojë fatin me të pabesët.
47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.
48 Por ai që nuk e dinte, po të bëjë gjëra që meritojnë të rrahura, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe kujt iu besua shumë, do t’i kërkohet më shumë.”