Book of Common Prayer
37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
2 sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
3 Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
4 Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
5 Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
6 Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
7 Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
8 Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
9 Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.
21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
30 Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.
31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.
22 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
2 I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
4 Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
5 Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
6 Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
4 Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve,
2 që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre,
3 të cilët do të ndalojnë martesën dhe do të urdhërojnë të mos hani ushqimet që Perëndia i krijoi, të merren me falënderim nga ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën.
4 Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim,
5 sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
6 Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.
7 Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,
8 sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.
9 Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë.
10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.
11 Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.
12 Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.
13 Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.
15 Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
16 Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
24 Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.
25 Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.
26 Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.
27 Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra??
28 Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".
29 Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.
30 I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim".”