Book of Common Prayer
5 Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.
2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.
3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,
4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.
5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.
6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.
7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.
8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,
9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.
10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.
11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,
12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.
6 O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.
2 Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.
3 Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?
4 Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.
5 Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?
6 Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.
7 Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.
8 Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.
9 Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.
10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.
10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?
2 I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,
3 sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.
4 I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".
5 Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.
6 Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".
7 Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.
8 Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.
9 Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.
10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.
11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".
12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.
13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".
14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.
15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.
16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.
17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,
18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.
11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?
2 Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.
3 Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?
4 Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,
5 Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.
6 Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.
7 Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.
4 Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
2 sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
3 Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,
4 ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
5 Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
6 mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
7 Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
8 Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.
9 Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".
10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.
11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.
12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.
13 Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
14 Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;
15 evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.
16 Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
17 ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.
19 Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë.
20 Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;
21 mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;
22 sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.
23 Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.
24 Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.
25 Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.
26 Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.
27 Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.
7 Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.
10 Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.
11 Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.
12 Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.
13 Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë nga Fryma e tij.
14 Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës.
15 Ai që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.
16 Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.
17 Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.
18 Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.
20 Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?
21 Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.
7 Dhe kur ata po largoheshin, Jezusi nisi t’u thotë turmave për Gjonin: “Çfarë keni dalë të shikoni në shkretëtirë? Kallamin që e tund era?
8 Por çfarë keni dalë të shikoni? Njeriun e mbështjellur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të buta banojnë në pallatet mbretërore.
9 Atëherë, pra, ç’dolët të shikoni? Një profet? Po, ju them: ai është më shumë se një profet.
10 Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje".
11 Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
12 Dhe qysh nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tash mbretëria e qiejve po pëson dhunë dhe të dhunshmit e grabitën.
13 Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni.
14 Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia, që duhej të vijë.
15 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!