Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 140

140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,

që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.

Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)

Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.

Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)

Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.

O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.

O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)

Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.

10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.

11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".

12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.

13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.

Psalmet 142

142 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit.

Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time.

Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja.

Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time.

Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve.

Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë.

Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira".

Psalmet 141

141 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.

Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.

O Zot, vër një roje para gojës sime.

Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme.

Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.

Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.

Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit.

Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.

Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi.

10 Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje.

Psalmet 143

143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.

Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.

Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.

Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.

Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.

I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.

Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.

Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.

10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.

11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.

12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.

Zakaria 14:1-11

14 Ja, po vjen dita e Zotit; plaçka jote e luftës do të ndahet në mes teje.

Unë do t’i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti.

Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës.

Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.

Atëherë ju do të ikni nëpër luginën e maleve të mi, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Atsal; po, do të ikni ashtu si keni ikur përpara tërmetit gjatë ditëve të Uziahut, mbretit të Judës; kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty.

Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.

Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.

Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.

Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.

10 Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë, nga Geba në Rimon, në jug të Jeruzalemit; dhe Jeruzalemi do të lartohet dhe do të banohet në vendin e vet, nga porta e Beniaminit, në vend të portës së parë, deri te porta e Qoshes, dhe nga kulla e Hananeelit deri te torkujt e mbretit.

11 Njerëzit do të banojnë dhe asgjë më nuk do të jetë caktuar për t’u shfarosur, por Jeruzalemi do të qëndrojë i sigurt.

Romakëve 15:7-13

Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë.

Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve,

dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: “Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t’i këndoj lavdërime emrit tënd!.”

10 Dhe përsëri ai thotë: “Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij.”

11 Dhe përsëri: “Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt.”

12 Dhe përsëri Isaia thotë: “Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!.”

13 Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!

Luka 19:28-40

28 Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.

29 Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,

30 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.

31 Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?," u thoni atyre kështu: Zoti ka nevojëë".”

32 Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.

33 Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: “Përse po e zgjidhni kërriçin?.”

34 Dhe ata thanë: “Zoti ka nevojë.”

35 Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.

36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.

37 Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,

38 duke thënë: “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta.”

39 Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: “Mësues, qorto dishepujt e tu!.”

40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.”