Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 120-127

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.

Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.

Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.

Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.

Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

Zakaria 11:4-17

Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore,

blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire.

Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit," thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre".

Atëherë nisa t’i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta Hirr" dhe tjetrin "Bashkim," dhe nisa ta kullos kopenë.

Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin.

Atëherë thashë: "Nuk do t’i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën".

10 Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt.

11 Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit.

12 Atëherë u thashë atyre: "Po t’ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi.

13 Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.

14 Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi," për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit.

15 Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend.

16 Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t’i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t’u shkulë edhe thonjtë".

17 Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare.

1 e Korintasve 3:10-23

10 Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të,

11 sepse askush nuk mund të hedhë themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti.

12 Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë,

13 vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është.

14 Në qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë një shpërblim,

15 në qoftë se vepra e tij digjet, ai do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, si përmes zjarrit.

16 A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?

17 Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë, sepse tempulli i Perëndisë, i cili jeni ju, është i shenjtë.

18 Askush të mos mashtrojë vetveten; në qoftë se ndonjë nga ju mendon se është i urtë në këtë kohë, le të bëhet i marrë, që të mund të bëhet i urtë.

19 Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë, sepse është shkruar: “Ai i zë të urtët në dinakërinë e tyre”;

20 dhe përsëri: “Zoti i njeh mendimet e të urtëve se janë të kota.”

21 Prandaj asnjë të mos mburret në njerëzit, sepse të gjitha gjërat janë tuajat;

22 Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat.

23 Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.

Luka 18:31-43

31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.

32 Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.

33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”

34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.

35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;

36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;

37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.

38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”

39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua.”

40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti

41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?.” Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve.”

42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi.”

43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.