Book of Common Prayer
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.
2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".
3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.
4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.
5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,
6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.
7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet.
8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve.
9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde,
10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate.
11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua.
12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.
13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën.
14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.
15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.
16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.
92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;
2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,
3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.
4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.
5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!
6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:
7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.
8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.
9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.
10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.
11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.
12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.
13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.
14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,
15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.
28 "Mbas kësaj do të ndodhë që unë do të përhap Frymën tim mbi çdo mish; bijtë tuaj dhe bijat tuaja do të profetizojnë, pleqtë tuaj do të shohin ëndrra, të rinjtë tuaj do të kenë vegime.
29 Në ato ditë do të përhap Frymën time edhe mbi shërbëtorët dhe shërbëtoret.
30 Do të bëj mrekulli në qiejt dhe mbi tokë: gjak, zjarr dhe shtëllunga tymi.
31 Dielli do të shndërrohet në terr dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e tmerrshme e Zotit.
32 Dhe do të ndodhë që kushdo që do t’i drejtohet emrit të Zotit do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jeruzalem do të ketë shpëtim, siç e ka thënë Zoti, edhe për ata që kanë mbetur gjallë dhe që Zoti do t’i thërrasë".
3 "Sepse ja, në ato ditë dhe në atë kohë, kur do të bëj që të kthehen nga robëria ata të Judës dhe të Jeruzalemit,
2 do të mbledh tërë kombet dhe do t’i bëj të zbresin në luginën e Jozafatit, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ta, për Izraelin, popullin tim dhe trashëgiminë time, që e kanë shpërndarë midis kombeve, duke e ndarë kështu vendin tim.
3 Kanë hedhur shortin mbi popullin tim, kanë dhënë një djalë në këmbim të një prostitute dhe kanë shitur një vajzë në këmbim të verës, që të mund të pinin.
4 Përveç kësaj çfarë jeni ju për mua, Tiro dhe Sidoni, dhe ju, gjithë krahinat e Filistisë? Mos doni vallë të hakmerreni me mua për ndonjë gjë që kam bërë? Por në rast se hakmerreni, do të bëj që të bjerë shpejt dhe pa ngurrim mbi kokën tuaj ligësia që keni bërë.
5 Sepse ju keni marrë argjendin dhe arin tim dhe keni çuar në tempujt tuaj pjesën më të mirë të sendeve të mia të çmuara,
6 dhe ua keni shitur bijtë e Judës dhe të Jeruzalemit bijve të Javanitëve, për t’i larguar nga vendi i tyre.
7 Ja, unë do t’i bëj të zgjohen nga vendi ku i keni shitur dhe do të bëj që të bjerë mbi kokën tuaj ajo që keni bërë.
8 Do t’i shes bijtë tuaj dhe bijat tuaja në duart e bijve të Judës, që do t’ua shesin Sabejve, një komb i largët, sepse Zoti ka folur".
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;
17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.
18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.
19 Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,
20 sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
22 Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.
23 Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;
24 ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.
25 Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.
26 Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.
27 Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.
16 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.
2 Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".
3 Dhe administratori tha me vete: "Ç’do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s’e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.
4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".
5 I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".
6 Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".
7 Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: Njëqind kora grurëë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".
8 Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.
9 Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.