Book of Common Prayer
69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.
36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
17 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,
2 më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”
3 Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.
5 Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: “Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut.”
6 Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.
7 Dhe engjëlli më tha: “Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
8 Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.
9 Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,
10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.
11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.
12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.
13 Këta kanë një qëllim, dhe do t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.
14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”
15 Pastaj më tha: “Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë.
16 Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.
17 Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t’i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë.
18 Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut.”
31 Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: “Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë.”
32 Dhe ai u përgjigj atyre: “Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".
33 Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.
34 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!
35 Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit".”