Book of Common Prayer
38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.
2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.
3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.
5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.
6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,
7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.
8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.
9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.
10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.
11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.
12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.
13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.
14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.
15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".
17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,
18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,
19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.
20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.
21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.
22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.
25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.
12 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
14 "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.
2 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.
3 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.
4 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.
5 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t’i kapërcejë.
6 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.
7 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.
8 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,
9 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.
10 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?
11 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,
12 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.
13 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!
14 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.
15 Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.
16 Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;
17 do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.
18 Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,
19 ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.
20 Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.
21 Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.
22 Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.
18 Kur zbardhi dita, u bë një pështjellim i madh në mes të ushtarëve, sepse nuk dinin ç’kishte ndodhur me Pjetrin.
19 Dhe Herodi nisi ta kërkojë, por nuk e gjeti, dhe, mbasi i mori në pyetje rojet, urdhëroi që të vriten. Pastaj zbriti nga Judeja në Cezare dhe atje qëndroi për pak kohë.
20 Por Herodi ishte i zemëruar kundër tirasve dhe sidonasve; por ata, si u morën vesh midis tyre, u paraqitën para tij dhe, mbasi ia mbushën mendjen Blastit, kamarierit të mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre furnizohej me ushqime nga vendi i mbretit.
21 Ditën e caktuar Herodi, i veshur me mantelin mbretëror dhe i ulur mbi fron, u mbajti një fjalim.
22 Populli e brohoriste, duke thënë: “Zë e Perëndisë dhe jo e njeriut!.”
23 Në atë çast një engjëll i Zotit e goditi, sepse nuk i kishte dhënë lavdi Perëndisë; dhe, i brejtur nga krimbat, vdiq.
24 Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej.
25 Dhe Barnaba dhe Sauli, mbasi e përfunduan misionin e tyre, u kthyen nga Jeruzalemi në Antioki duke e marrë me vete Gjonin, të mbiquajtur Mark.
47 Kush është prej Perëndisë, i dëgjon fjalët e Perëndisë; prandaj ju nuk dëgjoni, se nuk jeni prej Perëndisë.”
48 Atëherë Judenjtë iu përgjigjën dhe i thanë: “A nuk themi me të drejtë se ti je Samaritan dhe se ke një demon?.”
49 Jezusi u përgjigj: “Unë s’kam një demon, por nderoj Atin tim; ju përkundrazi më çnderoni.
50 Tani unë nuk kërkoj lavdinë time, ka kush e kërkon dhe gjykon.
51 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ai që zbaton fjalën time, nuk do ta shohë kurrë vdekjen, përjetë.”
52 Pra Judenjtë i thanë: “Tani njohim se ti ke një demon. Abrahami dhe profetët kanë vdekur, kurse ti thua: "Kur njëri zbaton fjalën time, nuk do ta shijojë kurrë vdekjen, përjetë".
53 Ti qenke më i madh se ati ynë Abraham, i cili ka vdekur? Edhe profetët kanë vdekur; kush pretendon se je?.”
54 Jezusi u përgjigj: “Në qoftë se unë e përlëvdoj veten, lavdia ime s’është asgjë. Éshtë Ati im ai që më përlëvdon, për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj.
55 Por ju ende s’e keni njohur, kurse unë e njoh dhe, po të thoja se nuk e njoh, do të isha një gënjeshtar si ju; por unë e njoh dhe e zbatoj fjalën e tij.
56 Abrahami, ati juaj, ngazëllohej në shpresën që të shihte ditën time; e pa dhe u gëzua.”
57 Judenjtë, pra, i thanë: “Ti ende nuk je pesëdhjetë vjeç dhe e paske parë Abrahamin?.”
58 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam.”
59 Atëherë ata morën gurë, që t’i hidhnin kundër tij; por Jezusi u fsheh dhe doli nga tempulli, duke kaluar midis tyre; dhe kështu u largua.