Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 148-150

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

Jobi 11:1-9

11 Atëherë Zofari nga Naamathi u përgjigj dhe tha:

"Një mori e tillë fjalësh a do të mbetet pa përgjigje? A duhet të ketë të drejtë një njeri fjalëshumë?

Llafet e tua a do t’ua mbyllin gojën njerëzve? Ti do të tallesh dhe asnjë mos të të bëjë me turp?

Ti ke thënë: "Doktrina ime është e pastër dhe jam i pakritikueshëm para teje".

Por po të donte Perëndia të fliste dhe të hapte gojën e tij kundër teje,

për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd.

A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish?

Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti.

Jobi 11:13-20

13 Në rast se e përgatit zemrën tënde dhe shtrin ndaj saj duart e tua,

14 në rast se largon padrejtësinë që është në duart e tua dhe nuk lejon që çoroditja të zërë vend në çadrat e tua,

15 atëherë do të mund të lartosh ballin tënd pa njollë, do të jesh i patundur dhe nuk do të kesh frikë,

16 sepse do të harrosh hallet e tua, do t’i kujtosh si uji që ka rrjedhur;

17 jeta jote do të jetë më e ndritur se mesdita, edhe errësira për ty do të ishte si mëngjesi.

18 Do të jesh i sigurt sepse ka shpresë; do të shikosh rreth e qark dhe do të pushosh në siguri.

19 Do të biesh të flesh dhe nuk do të ketë njeri që të të trembë dhe shumë persona do të kërkojnë favorin tënd.

20 Por sytë e të pabesëve do të treten; çdo shpëtim do t’u pritet, dhe shpresa e tyre do të jetë grahma e fundit".

Zbulesa 5

Pastaj pashë në dorën e djathtë të atij që rrinte ulur mbi fron, një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?.”

Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.

Edhe unë qaja shumë, sepse s’qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.

Atëherë një nga pleqtë më tha: “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij.”

Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.

Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.

Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.

Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,

10 dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.”

11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,

12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.”

13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.”

14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!.” Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.

Mateu 5:1-12

Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.

Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:

“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.

Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.

10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.

11 Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.

12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.”