Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:145-176

145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.

146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.

147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.

148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.

150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.

151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.

152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.

153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.

154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.

155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.

156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.

157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.

158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.

159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.

160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.

161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.

162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.

163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.

164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.

165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.

166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.

167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.

168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.

169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.

170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.

171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.

172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.

173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.

174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.

175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.

176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.

Psalmet 128-130

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.

129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:

"Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.

Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".

Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.

U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;

nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;

dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

Ezekieli 34:1-16

34 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barijve: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë?

Ju hani yndyrën, visheni me leshin, vritni delet e majme, por nuk e kullotni kopenë.

Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi.

Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur.

Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mija janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t’i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes".

Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:

Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "duke qenë se delet e mija janë bërë një pre, delet e mia i hanë të gjitha bishat e fushave për mungesë të një bariu dhe sepse barinjtë e mi nuk kanë vajtur ti kërkojnë delet e mia, por barinjtë kanë kullotur për veten e tyre dhe nuk kanë kullotur delet e mia".

Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:

10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër barinjve; do t’u kërkoj llogari për delet e mia dhe nuk do t’i lë t’i kullotin delet. Barinjtë nuk do të kullotin më veten e tyre, sepse do t’u heq nga goja e tyre delet e mia dhe nuk do të jenë më ushqimi i tyre.

11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem.

12 Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.

13 Do t’i nxjerr nga popujt dhe do t’i mbledh nga vende të ndryshme; do t’i çoj përsëri në tokën e tyre dhe do t’i kullot në malet e Izraelit, gjatë rrjedhave ujore dhe në tërë vendet e banuara të vendit.

14 Do t’i kullot në kullota të mira dhe vatha e tyre do të jetë në malet e larta të Izraelit; atje do të pushojnë në një vathë dhe do të kullotin në kullota të pasura në malet e Izraelit.

15 "Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë," thotë Zoti, Zoti.

16 "Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi.

1 Gjonit 2:12-17

12 Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.

13 Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.

14 Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.

15 Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,

16 sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.

17 Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.

Mateu 10:5-15

Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,

por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.