Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 120-127

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.

Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.

Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.

Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.

Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

Ezekieli 33:21-33

21 Vitin e dymbëdhjetë të robërisë sonë, muajin e dhjetë, ditën e pestë të muajit, ndodhi që arriti tek unë një i ikur nga Jeruzalemi dhe më tha: Qyteti është pushtuarr".

22 Një mbrëmje para se të vinte ikanaku, dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, kur në mëngjes ai arriti tek unë, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec.

23 Fjala e Zotit m’u drejtua pastaj, duke thënë:

24 "Bir njeriu, banorët e këtyre rrënojave në vendin e Izraelit thonë: Abrahami ishte vetëm dhe pati zotërimin e vendit, por ne jemi shumë dhee zotërimi i vendit na jepet neve".

25 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ju hani mishin me gjakun, ngrini sytë nga idhujt tuaj, derdhni gjak dhe dëshironi të zotëroni vendin.

26 Ju mbështeteni te shpata juaj, kryeni gjëra të neveritshme, secili ndot gruan e fqinjit të tij dhe dëshironi të zotëroni vendin.

27 U thuaj kështu atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, ata që banojnë midis atyre rrënojave do të vriten nga shpata, ata që janë në fushë të hapur do t’ua jap për të ngrënë kafshëve dhe ata që janë në fortesa dhe në shpella do të vdesin nga murtaja.

28 Do ta katandis vendin në një mjerim dhe në shkreti, kryelartësia e forcës së tij do të ligështohet dhe kështu malet e Izraelit do të jenë aq të shkretuar sa që askush nuk do të kalojë më andej.

29 Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë kryer.

30 Sa për ty, bir njeriu, bijtë e popullit tënd flasin për ty pranë mureve dhe te pragu i shtëpive të tyre, i flasin njeri tjetrit, duke i thënë secili vëllait të tij: "Eja të dëgjosh cila është fjala që vjen nga Zoti".

31 Kështu vijnë te ti ashtu si bën njerëzia, ulen para teje ashtu si bën populli im dhe dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë; me gojën e tyre, pra, tregojnë dashuri të madhe, por zemra e tyre shkon pas fitimit të tyre të padrejtë.

32 Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t’i bjerë mirë një vegle; ata dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë.

33 Dhe ja kur të ndodhë ajo gjë (dhe ja që po ndodh) do të pranojnë që në mes tyre ka pasur një profet".

1 Gjonit 2:1-11

Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.

Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.

Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.

Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë,” dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.

Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.

Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.

Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.

E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.

Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.

10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.

11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.

Mateu 9:35-10:4

35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.

36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.

37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”

10 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;

Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.