Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,

27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.

28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Ezekieli 33:1-11

33 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, folu bijve të popullit tënd dhe u thuaj atyre: Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar,

në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin,

kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet.

Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij.

Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari sogjetarit.

Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime.

Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri," dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkojë llogari dorës sate.

Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.

10 Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?".

11 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?

1 Gjonit 1

Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës

(dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve),

Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.

Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.

Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë

Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;

por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.

Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.

Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.

10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.

Mateu 9:27-34

27 Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!.”

28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: “A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?.” Ata iu përgjigjën: “Po, o Zot.”

29 Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj.”

30 Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: “Ruhuni se mos e merr vesh njeri.”

31 Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.

32 Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.

33 Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: “Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael.”

34 Por farisenjtë thonin: “Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!.”