Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 131-135

131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.

E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.

O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.

132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.

Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.

Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

Sofonia 3:1-13

Mjerë ai që është rebel dhe i ndotur, mjerë qyteti i shtypjes!

Ai nuk ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka pranuar të ndreqet, nuk ka patur besim tek Zoti, nuk i është afruar Perëndisë të vet.

Krerët e tij në mes të tij janë luanë që vrumbullojnë; gjyqtarët e tij janë ujqër të mbrëmjes, që nuk lënë asnjë kockë për ta brejtur për mëngjes.

Profetët e tij janë mburravecë, të pabesë; priftërinjtë e tij kanë përdhosur vendin e shenjtë, kanë dhunuar ligjin.

Zoti është i drejtë në mes të tij, ai nuk kryen paudhësi. Çdo mëngjes ai sjell në dritë drejtësinë pa munguar asnjë herë, por i çorodituri nuk njeh turp.

"Kam shfarosur kombet; kalatë e tyre janë shembur; i kam shkretuar rrugët e tyre dhe askush nuk kalon nëpër to; qytetet e tyre janë shkatërruar dhe askush nuk banon në to.

Unë thoja: "Me siguri do të kesh frikë nga unë, do të pranosh të ndreqesh," dhe kështu banesa e tij nuk do të shkatërrohej me gjithë ndëshkimet që i kam dhënë. Por ata u nxituan të prishen në të gjitha veprimet e tyre.

Prandaj më prit," thotë Zoti, "kur të ngrihem për të bërë plaçkë, sepse unë kam vendosur të mbledh kombet, të bashkoj mbretëritë, për të hedhur mbi ta indinjatën time, gjithë zjarrin e zemërimit tim; po, gjithë dheu do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë sime.

Sepse atëherë do t’u jap popujve një të folur të pastër, me qëllim që të gjithë të përmendin emrin e Zotit, për t’i shërbyer me një marrëveshje të përbashkët.

10 Që përtej lumenjve të Etiopisë, adhuruesit e mi, bija e të humburve të mi, do të më sjellin ofertat e tyre.

11 Në atë ditë ti nuk do të kesh më turp për të gjitha veprimet e tua me të cilat ngrite krye kundër meje, sepse atëherë unë do të largoj nga mesi yt ata që gëzohen në madhështinë tënde, dhe ti nuk do të krenohesh në malin tim të shenjtë".

12 "Do të bëj të mbetet midis teje një popull i përulur dhe i varfër, që do të ketë besim te emri i Zotit.

13 Mbeturina e Izraelit nuk do të kryejë paudhësi dhe nuk do të thotë më gënjeshtra, as do të gjendet në gojën e tyre një gjuhë gënjeshtare; sepse ata do ta kullotin kopenë e tyre, do të bien të flenë dhe askush nuk do t’i trembë".

1 Pjetrit 2:11-25

11 Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit.

12 Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira.

13 Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit,

14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën,

15 sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend.

16 Silluni si njerëz të lirë, por jo duke për-dorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë.

17 Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

18 Ju, shërbëtorë, nënshtrohuni me plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve dhe të drejtëve, por edhe të padrejtëve,

19 sepse është gjë e ladërueshme, nëse dikush, për ndërgjegje ndaj Perëndisë, duron shtrengime duke vuajtur padrejtësisht.

20 Sepse çfarë lavdie do të ishte po të duronit në qoftë se ju rrahin sepse keni bërë faje? Ndërsa, po të bëni të mirë dhe të duroni vuajtje, kjo është hir para Perëndisë.

21 Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.

22 “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij.”

23 Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht.

24 Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat.

25 Sepse ju ishit si dele endacake por tani ju u kthyet te bariu dhe ruajtësi i shpirtrave tuaj.

Mateu 20:1-16

20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.

Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.

Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.

Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.

Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.

Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".

Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".

Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".

Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.

10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.

11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,

12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".

13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?

14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.

15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".

16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”