Book of Common Prayer
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
3 O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.
2 Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)
3 Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.
4 Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)
5 Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.
6 Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.
7 Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.
8 Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)
4 Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.
2 Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)
3 Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.
4 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)
5 Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.
6 Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.
7 Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.
8 Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
10 Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.
2 Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.
3 Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.
4 Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.
5 Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.
6 Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
7 Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.
8 Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
9 Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t’u zbuluar.
10 Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
11 Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
12 Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.
16 Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia;
17 madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti.
18 Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.
2 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;
2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.
28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!.”
29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: “Një engjëll i ka folur!.”
30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: “Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.
31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!
32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.”
33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç’lloj vdekje duhet të vdiste.
34 Turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?.”
35 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon.”
36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.” Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.