Book of Common Prayer
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.
2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.
3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.
4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.
5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.
6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,
8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.
9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.
10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.
3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.
5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.
6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,
8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.
9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.
10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.
112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.
2 Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.
3 Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.
5 Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,
6 sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.
7 Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.
8 Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.
9 Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.
10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.
113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.
9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.
9 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.
3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:
4 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:
5 "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.
6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".
7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.
8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.
9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.
10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.
11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.
12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti.
6 Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.
7 Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.
8 Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,
9 sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi.”
10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;
11 dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë.
12 Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë,
13 sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë.
14 Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju.
15 Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.
46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.
47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”
48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”
49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!.”
50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.
51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?.” I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!.”
52 Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi.” Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.