Add parallel Print Page Options

Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:

Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".

Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.

Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?," thotë Zoti i ushtrive.

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.

Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".

Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.

10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.

11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara," thotë Zoti i ushtrive.

12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.

13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".

14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin," thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,

15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!

16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.

17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".

18 Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:

19 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".

20 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve;

21 banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: "Le të shkojmë menjëherë t’i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj".

22 Po, shumë popuj dhe kombe të fuqishëm do të vijnë të kërkojnë Zotin e ushtrive në Jeruzalem dhe t’i përgjërohen fytyrës së Zotit".

23 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: "Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju"".

Orakulli i fjalës së Zotit kundër vendit të Hadrakut dhe Damasku vendpushimi i tij (sepse sytë e njerëzve të të gjitha fiseve të Izraelit i drejtohen Zotit),

dhe kundër Hamathit, që është në kufi me të, dhe kundër Tiros dhe Sidonit, ndonëse ata janë shumë të urtë.

Tiro ka ndërtuar një fortesë dhe ka grumbulluar argjend si pluhur dhe ar si balta e rrugëve.

Ja, Zoti do ta rrëzojë nga fuqia dhe do të shkatërrojë pushtetin e tij në det, dhe ai do të konsumohet nga zjarri.

Ashkeloni do ta shohë dhe do të ketë frikë, edhe Gaza do të përpëlitet nga dhëmbja e madhe dhe po kështu Ekroni, sepse shpresa e tij do të pësojë zhgënjim. Mbreti do të zhduket nga Gaza dhe Ashkeloni nuk do të banohet më.

Një popull bastard do të banojë në Ashdod, dhe unë do të asgjësoj krenarinë e Filistejve.

Do të heq gjak nga goja e tij dhe gjërat e neveritshme nga dhëmbët e tij, dhe ai gjithashtu do të jetë një i mbetur për Perëndinë tonë dhe do të jetë si një kryetar në Judë, dhe Ekroni si Jebuzeu.

Do të fushoj rreth shtëpisë sime për ta mbrojtur nga çfarëdo ushtrie, nga kush shkon dhe kush vjen; asnjë shtypës nuk do të kalojë më nga ata, sepse tani pashë vetë me sytë e mi.

Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.

10 Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.

11 Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.

12 Kthehuni në fortesë, o ju robër të shpresës! Pikërisht sot unë deklaroj se do të të jap dyfishin.

13 Do ta përkul Judën për mua si harkun tim dhe me Efraimin do ta mbush me shigjeta, dhe do t’i ngre në këmbë bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, dhe do të të bëj si shpata e një njeriu të fuqishëm.

14 Atëherë mbi ta do të duket Zoti dhe shigjeta e tij do të niset si një rrufe. Zoti, Zoti, do t’i bjerë borisë dhe do të përparojë bashkë me shakullimat e jugut.

15 Zoti i ushtrive do t’i mbrojë; kështu ata do të gllabërojnë dhe do të shkelin gurët e hobeve të armiqve të tyre, do të pijnë dhe do të bëjnë zhurmë si të nxitur nga vera dhe do të jenë plot me gjak si legenat e vegjël që përdoren për flijime, si brirët e altarit.

16 Zoti, Perëndia i tyre, do t’i shpëtojë atë ditë, si kopeja e popullit të tij, sepse do të jenë si gurët e çmuar të një kurore, që do të ngrihen lart si një flamur mbi tokën e tij.

17 Sa e madhe do të jetë mirësia e tij dhe sa e madhe bukuria e tij! Gruri do t’i rritë të rinjtë, dhe mushti vajzat.

10 I kërkoni Zotit shiun në kohën e shiut të fundit! Zoti do të lëshojë rrufe që do të pasohen nga bubullima dhe shi, do t’u japë atyre shira të bollshme, dhe secilit bar në arën e vet.

Sepse idhujt familjarë rrëfejnë gjëra të kota, shortarët ndjekin veprime të rreme dhe tregojnë ëndrra të rreme, japin ngushëllime të kota; për këtë arsye ata po enden si dhentë, janë të pikëlluar, sepse janë pa bari.

"Zemërimi im merr zjarr kundër barinjve dhe unë do të ndëshkoj cjeptë, sepse Zoti i ushtrive do të vizitojë kopenë e tij, shtëpinë e Judës dhe do ta bëjë atë si kalin e tij madhështor në luftë.

Prej tij do të dalë guri i qoshes, prej tij do të dalë kunji, prej tij harku i betejës, prej tij do të dalë çdo sundues, të gjithë së bashku.

Dhe do të jenë si trimat që do të shkelin armiqtë e tyre në baltën e rrugëve në betejë. Do të luftojnë, sepse Zoti është me ta, ata që u hipin kuajve do të mbeten të shushatur.

Unë do ta fortifikoj shtëpinë e Judës dhe do ta shpëtoj shtëpinë e Jozefit dhe do t’i sjell përsëri sepse më vjen keq për ta; do të jenë si të mos i kem dëbuar kurrë, sepse unë jam Zoti, Perëndia i tyre, dhe do t’i kënaq.

Ata të Efraimit do të jenë si një trim dhe zemra e tyre do të ngazëllojë si e dehur nga vera. Po, bijtë e tyre do ta shohin dhe do të gëzohen, zemra e tyre do të ngazëllojë në Zotin.

Do t’u fishkëlloj për t’i mbledhur, sepse unë do t’i shpengoj; dhe ata do të shumohen siç janë shumuar më parë.

Do t’i shpërndaj midis popujve dhe në vende të largëta do të më kujtojnë; do të jetojnë bashkë me bijtë e tyre dhe do të kthehen.

10 Do t’i bëj të kthehen nga vendi i Egjiptit dhe do t’i mbledh nga Asiria, për t’i kthyer në vendin e Galaadit dhe në Liban, por nuk do të ketë vend të mjaftueshëm për ta.

11 Ai do të kalojë nëpër detin e vështirësisë, por do t’i godasë valët e detit dhe të gjitha thellësitë e lumenjve do të thahen. Krenaria e Asirisë do të shembet dhe skeptri i Egjiptit do të hiqet.

12 Do t’i bëj të fuqishëm në Zotin dhe ata do të ecin në emrin e tij," thotë Zoti.

11 Hapi dyert e tua, Liban, me qëllim që zjarri të djegë kedrat e tu.

Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë, sepse drurët madhështorë janë shkatërruar. Këlthisni, lisa të Bashanit, sepse pylli i padepërtueshëm është rrëzuar.

Dëgjohet vajtimi i barinjve, sepse shkëlqimi i tyre u shkretua; dëgjohet vrumbullima e luanëve të vegjël, sepse madhështia e Jordanit u shkretua.

Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore,

blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire.

Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit," thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre".

Atëherë nisa t’i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta Hirr" dhe tjetrin "Bashkim," dhe nisa ta kullos kopenë.

Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin.

Atëherë thashë: "Nuk do t’i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën".

10 Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt.

11 Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit.

12 Atëherë u thashë atyre: "Po t’ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi.

13 Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.

14 Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi," për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit.

15 Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend.

16 Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t’i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t’u shkulë edhe thonjtë".

17 Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare.

12 Orakulli i fjalës të Zotit lidhur me Izraelin. Kështu thotë Zoti që i ka shpalosur qiejt, që ka hedhur themelet e dheut dhe ka formuar frymën e njeriut përbrenda tij:

"Ja, unë do ta bëj Jeruzalemin një kupë hutimi për gjithë popujt përreth; ata do të dalin gjithashtu kundër Judës, kur të rrethojnë Jeruzalemin.

Atë ditë do të ndodhë që unë do ta bëj Jeruzalemin një gur të rëndë për gjithë popujt; të gjithë ata që do të ngarkohen me të do të bëhen krejtësisht copë-copë, edhe sikur të mblidheshin të gjitha kombet e dheut kundër tij.

Atë ditë," thotë Zoti, "unë do t’i qëlloj me hutim të gjithë kuajt dhe me marrëzi kalorësit e tyre; do t’i hap sytë e mi mbi shtëpinë e Judës, por do të godas me verbim të gjithë kuajt e popujve.

Krerët e Judës do të thonë në zemër të tyre: "Banorët e Jeruzalemit janë fuqia ime në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre".

Atë ditë unë do t’i bëj krerët e Judës si një mangall që digjet në mes të një turre drush, si një pishtar të ndezur midis demeteve. Ata do të gllabërojnë djathtas e majtas gjithë popujt përreth; por Jeruzalemi do të mbetet akoma i banuar, në vendin e vet, në Jeruzalem.

Zoti do të shpëtojë më parë çadrat e Judës, me qëllim që lavdia e shtëpisë së Davidit dhe lavdia e banorëve të Jeruzalemit të mos rritet më shumë se ajo e Judës.

Atë ditë Zoti do t’i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre.

Atë ditë do të ndodhë që unë do të veproj për të shkatërruar të gjitha kombet që do të dalin kundër Jeruzalemit".

10 "Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.

11 Atë ditë në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh, i ngjeshëm me pikëllimin Hadad-rimonit në luginën Megido.

12 Edhe vendi do të pikëllohet, çdo familje për vete: familja e shtëpisë së Davidit për vete, bashkëshortet e tyre për vete; familja e shtëpisë së Natanit për vete; dhe bashkëshortet e tyre për vete;

13 familja e shtëpisë së Levit për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete; familja e Shimejt për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete;

14 të gjitha familjet e mbetura secila për vete, dhe bashkëshortet e tyre për vete".

13 "Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.

Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të shfaros nga vendi emrat e idhujve, që nuk do të kujtohen më; do të zhduk gjithashtu profetët nga vendi dhe frymën e papastër.

Dhe do të ndodhë që, në se dikush do të profetizojë akoma, i ati dhe e ëma që e kanë lindur do t’i thonë: "Ti s’ke për të jetuar, sepse shqipton gënjeshtra në emër të Zotit". Kështu i ati dhe e ëma që e kanë lindur do ta therin, sepse ai profetizon.

Atë ditë do të ndodhë që secili profet do të ndiejë turp për vegimin e vet, kur të profetizojë dhe nuk do të veshë më qyrkun për të mashtruar.

Po secili do të thotë: "Unë nuk jam profet, jam bujk; dikush më ka mësuar të rris bagëtinë që në rininë time".

Pastaj në qoftë se dikush do t’i thotë: "Çfarë janë këto plagë që ke në duart e tua?," ai do të përgjigjet: "Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi"".

"Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im," thotë Zoti i ushtrive. "Godite bariun dhe delet le të shpërndahen; pastaj do ta drejtoj dorën time kundër të vegjëlve.

Dhe në gjithë vendin do të ndodhë," thotë Zoti, "që dy të tretat do të shfarosen dhe do të vdesin, por një e treta do të mbetet.

Këtë të tretë do ta bëj të kalojë nëpër zjarr, do ta rafinoj ashtu si rafinohet argjendi dhe do ta vë në provë ashtu si provohet ari. Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t’i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im".

14 Ja, po vjen dita e Zotit; plaçka jote e luftës do të ndahet në mes teje.

Unë do t’i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti.

Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës.

Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.

Atëherë ju do të ikni nëpër luginën e maleve të mi, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Atsal; po, do të ikni ashtu si keni ikur përpara tërmetit gjatë ditëve të Uziahut, mbretit të Judës; kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty.

Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.

Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.

Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.

Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.

10 Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë, nga Geba në Rimon, në jug të Jeruzalemit; dhe Jeruzalemi do të lartohet dhe do të banohet në vendin e vet, nga porta e Beniaminit, në vend të portës së parë, deri te porta e Qoshes, dhe nga kulla e Hananeelit deri te torkujt e mbretit.

11 Njerëzit do të banojnë dhe asgjë më nuk do të jetë caktuar për t’u shfarosur, por Jeruzalemi do të qëndrojë i sigurt.

12 Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt që kanë luftuar kundër Jeruzalemit: ai do të bëjë që mishi i tyre të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre.

13 Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe; secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.

14 Vetë Juda do të luftojë kundër Jeruzalemit, dhe pasuria e të gjitha kombeve përreth do të mblidhet tok: ar, argjend dhe rroba në sasi të madhe.

15 Plagë e ngjashme me tjetrën do të jetë plaga që do të godasë kuajt, mushkat, devetë, gomerët dhe të gjitha kafshët që do të ndodhen në ato fushime.

16 Dhe do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jeruzalemit do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar festën e Kasolleve.

17 Dhe do të ndodhë që, në qoftë se ndonjë familje e dheut nuk do të shkojë në Jeruzalem për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, kurrfarë shiu nuk do të bjerë mbi to.

18 Në qoftë se familja e Egjiptit nuk do të dalë dhe nuk do të vijë, as mbi të nuk do të bjerë shi, por do të bjerë e njëjta plagë me të cilën Zoti do të godasë kombet që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.

19 Ky do të jetë ndëshkimi i Egjiptit, dhe ndëshkimi i të gjitha kombeve që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.

20 Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: "SHENJTÉRIM ZOTIT". Tenxheret në shtëpinë e Zotit do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit.

21 Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t’i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t’i marrin për të gatuar mishrat. Atë ditë në shtëpinë e Zotit nuk do të ketë më asnjë tregtar.