Add parallel Print Page Options

Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:

"Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj.

Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju," thotë Zoti i ushtrive.

"Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kualuarës u kanë shpallur, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija". Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vemendje," thotë Zoti.

"Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë?

Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: "Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne"".

Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:

Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë.

Unë pyeta: "Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?". Engjëlli që fliste me mua m’u përgjigj: "Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato".

10 Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheunn".

11 Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: "Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë".

12 Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: "O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?".

13 Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua.

14 Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: "Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin;

15 por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen".

16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem".

17 Bërtit akoma dhe thuaj: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin"".

18 Pastaj i çova sytë, shikova dhe ja, katër brirë.

19 Unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Çfarë janë këta?". Ai m’u përgjigj: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jeruzalemin".

20 Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.

21 Unë pyeta: "Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?". Ai u përgjigj dhe tha: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, kështu që askush nuk mund të çonte kokën lart, por këta kovaçë vijnë për t’i trembur, për të rrëzuar brirët e kombeve që e kanë ngritur bririn e tyre kundër vendit të Judës për ta shpërndarë".

I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.

E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m’u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij".

Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,

dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.

Sepse unë," thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij".

Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut," thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit," thotë Zoti.

Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.

Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.

10 Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje," thotë Zoti.

11 "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.

12 Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.

13 Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë".

Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satanai që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar.

Zoti i tha Satanait: "Të qortoftë ashpër Zoti, o Satana! Po, Zoti që ka zgjedhur Jeruzalemin, të qortoftë ashpër! A nuk është vallë ky një urë zjarri e shkëputur nga zjarri?".

Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit,

i cili nisi t’u thotë atyre që ishin përpara tij: "Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!". Pastaj i tha atij: "Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera".

Unë, pra, thashë: "Le të vënë mbi kokën e tij një çallmë të pastër". Kështu ata i vunë mbi kokë një çallmë të pastër dhe e vunë të veshë rroba, ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm aty.

Dhe Engjëlli i Zotit e paralajmëroi solemnisht Jozueun duke thënë:

"Kështu thotë Zoti i ushtrive: Në qoftë se do të ecësh në rrugët e mia dhe do të respektosh ligjin tim, edhe ti do të kesh drejtimin e shtëpisë sime dhe do të ruash oborret e mia, dhe unë do të të lejoj të hysh lirisht midis këtyre që rrijnë këtu.

Dëgjo, pra, o Jozue, kryeprift, ti dhe shokët e tu që ulen përpara teje, sepse ata janë njerëz që japin paralajmërime. Ja, unë po të sjell këtu shërbëtorin tim, Filizin.

Ja guri që kam vënë përpara Jozueut: mbi këtë gur të vetëm ka shtatë sy; ja, unë do të gdhend mbishkrimin e tij," thotë Zoti i ushtrive, "dhe do ta heq paudhësinë e këtij vendi në një ditë të vetme.

10 Në atë ditë," thotë Zoti i ushtrive, "secili nga ju do të ftojë fqinjin e vet nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij".

Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi.

Dhe më pyeti: "Çfarë po shikon?". U përgjigja: "Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë.

Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj".

Kështu nisa t’i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, ç’kuptim kanë këto gjëra?".

Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: "Nuk e kupton se ç’duan të thonë këto gjëra?". Unë i thashë: "Jo, imzot".

Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: "Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time," thotë Zoti i ushtrive.

"Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: Mëshirë, mëshirë për të!!"".

Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju.

10 Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun".

11 Unë u përgjigja dhe i thashë: "Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?".

12 Për herë të dytë nisa t’i them: "Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?".

13 Ai m’u përgjigj dhe tha: "Nuk e kupton çfarë janë këto?". Unë u përgjigja: "Jo, imzot".

14 Atëherë ai më tha: "Këta janë dy të vajosurit që rrijnë afër Zotit të gjithë dheut".

18 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.

Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.

Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar.”

Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,

sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.

Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.

Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".

Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.”

Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;

10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!.”

11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:

12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,

13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.

14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t’i gjesh më kurrë.

15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,

16 duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!.”

17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg

18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: “Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?.”

19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!

20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë.”

21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: “Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;

22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.

23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.

24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.”