Add parallel Print Page Options

Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit?

Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t’u lëvduar.

Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? “Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.”

Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh;

ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.

Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë:

“Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar.

Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin.”

Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi.

10 Në ç’mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.

11 Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t’u numërohet drejtësia,

12 dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë.

13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.

14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,

15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.

16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili

17 (siç është shkruar: “Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve”), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.

18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jetë pasardhja jotë.”

19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.

20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë,

21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.

22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi.

23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar,

24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë,

25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,

me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,

këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.

Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.

Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.

Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.

10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.

11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.

12 Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;

13 sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj;

14 por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte.

15 Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.

16 Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje.

17 Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.

18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.

19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.

20 Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt,

21 me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri?

Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të?

Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?

Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.

Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,

duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.

Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.

Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të,

duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të.

10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë.

11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta.

13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.

14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.

15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!

16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?

17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.

18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.

19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.

20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë.

21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja.

22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.

23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Apo nuk e dini o vëllezër, (sepse unë po u flas njerëzve që e njohin ligjin), se ligji ka pushtet mbi njeriun për sa kohë ai rron?

Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ai rron, por, po i vdiq burri, lirohet nga ligji i burrit.

Prandaj, nëse, kur i rron burri, ajo bashkohet me një burrë tjetër, do të quhet shkelëse e kurorës; por kur i vdes burri ajo është e liruar nga ligji, që të mos jetë shkelëse e kurorës, po u bë gruaja e një burrë tjetër.

Kështu, pra, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur për ligjin me anë të trupit të Jezu Krishtit që të bashkoheni me një tjetër, që u ringjall prej të vdekurit, që t’i japim fryte Perëndisë.

Sepse, kur ishim në mish, pasionet mëkatare që ishin me anë të ligjit, vepronin në gjymtyrët tona, duke sjellë fryte vdekjeje,

por tani jemi zgjidhur nga ligji duke qënë të vdekur nga ç’ka na mbante të lidhur, prandaj shërbejmë në risinë e frymës dhe jo në vjetërsinë e shkronjës.

Çfarë të themi, pra? Se ligji është mëkat? Ashtu mos qoftë! Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: “Mos lakmo!.”

Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi,

sepse, pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligj, por, kur erdhi urdhërimi, mëkati u ngjall dhe unë vdiqa,

10 dhe urdhërimi që u dha për jetë, më solli vdekjen.

11 Sepse mëkati, duke gjetur rastin me anë të urdhërit, më mashtrojë dhe me anë të tij më vrau.

12 Kështu ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë.

13 Ajo gjë, pra, që është e mirë u bë vdekje për mua? Ashtu mos qoftë; por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës më pruri vdekjen, që mëkati të bëhet edhe më tepër mëkat nëpërmjet urdhërimit.

14 Sepse ne e dimë se ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav.

15 Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.

16 Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që ligji është i mirë.

17 Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua.

18 Në fakt unë e di se në mua domëthënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën.

19 Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj.

20 Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

21 Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjindet në mua.

22 Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,

23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.

24 Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

25 I falem nderit Perëndisë me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.