Add parallel Print Page Options

11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.

Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:

“O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”

Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”

Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.

Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.

E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,

siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”

Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.

10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”

11 Unë them, pra: “Mos u penguan, që të rrëzohen? Aspak; por me anë të rrëzimit të tyre u erdhi shpëtimi johebrenjve, që t’i shtjerë ata në xhelozi.

12 Edhe nëse rrëzimi i tyre është fitim për botën dhe pakësimi i tyre është fitim për johebrenjtë, sa më tepër do të jetë mbushullia e tyre?

13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,

14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t’i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.

15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?

16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.

17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,

18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.

19 Do të thuash, pra: “Degët u prenë që të shartohem unë.”

20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.

21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.

22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.

23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri.

24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.

25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,

26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.

27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t’ju heq mëkatet e tyre.”

28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,

29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.

30 Sepse, sikundër dhe ju dikur ishit të pabindur ndaj Perëndisë, por tani fituat mëshirën për shkak të pabindjes së tyre,

31 kështu edhe këta tani u bënë të padëgjueshëm, që, me anë të mëshirës që u tregua për ju, të fitojnë edhe ata mëshirë.

32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!

34 “Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij?

35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?.”

36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!

12 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.

Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.

Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,

kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.

Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;

nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;

dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.

Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.

10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.

11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,

12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;

13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.

14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.

15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.

16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.

17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.

18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.

19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”

20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”

21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.

13 Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.

Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.

Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,

sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.

Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.

Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.

I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.

Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.

Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo,” dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.

11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.

12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.

13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.

14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë.