Add parallel Print Page Options

Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.

Dhe ai hapi pusin e humnerës dhe nga pusi u ngrit një tym si nga një oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u errën nga tymi i pusit.

Edhe nga ky tym dolën mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha një pushtet, i ngjashëm me atë të akrepave të tokës.

Dhe atyre iu tha të mos dëmtojnë barin e dheut, asnjë gjelbërim e asnjë dru, por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.

Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.

Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.

Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.

Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima i shumë qerrëve dhe kuajve që rendin në luftim.

10 Dhe kishin bishtra që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtrat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.

11 Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.

12 Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.

13 Dhe i gjashti engjëll i ra borisë, dhe dëgjova një zë nga të katër brirët e altarit të artë që është përpara Perëndisë,

14 që i thoshte engjëllit të gjashtë që kishte borinë: “Zgjidh të katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e madh, Eufratin.”

15 Atëherë të katër engjëjt, që ishin përgatitur për atë orë, ditë, muaj dhe vit, u zgjidhën që të vrasin të tretën pjesë të njerëzve.

16 Dhe numri i ushtarëve të kalorësisë ishte dyqind milion: dhe unë e dëgjova numrin e tyre.

17 Dhe kështu unë pashë në vegim kuajt dhe ata që i kalëronin; ata kishin parzmore ngjyrë zjarri, hiacinti dhe squfuri; dhe kokat e kuajve ishin si koka luanësh dhe nga gojët e tyre dilte zjarr, tym dhe squfur.

18 Nga këto të tri plagë u vra e treta e njerëzve, nga zjarri e nga tymi e nga squfuri, që dilnin nga gojët e tyre.

19 Sepse pushteti i tyre në fakt ishte në gojën e tyre dhe në bishtrat e tyre; sepse bishtrat e tyre ishin të ngjashëm me gjarpërinj, që kanë koka dhe me anë të tyre dëmtonin.

20 Dhe njerëzit e tjerë, ata që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u penduan nga veprat e duarve të tyre që të mos nderojnë demonët dhe idhujt prej ari, argjendi, bronzi, guri dhe druri, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë, as të ecin;

21 dhe ata nuk u penduan nga vrasjet e tyre, as nga magjia e tyre, as nga kurvërimi i tyre dhe as nga vjedhjet e tyre.

10 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fuqishëm që zbriste nga qielli, i mbështjellë në një re dhe me ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si diell dhe këmbët e tij si shtylla zjarri.

Ai kishte në dorë një libërth të hapur dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det dhe të majtin mbi dhe,

dhe thirri me zë të madh si një luan që vrumbullon; dhe, si bërtiti, të shtatë bubullima bënë të dëgjohej ushtima e tyre.

Dhe kur të shtatë bubullimat bënë të dëgjohej ushtima e tyre, u gatita të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: “Vulosi gjërat që thonin të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”

Atëherë engjëlli që unë pashë që rrinte në këmbë mbi det e mbi dhe, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit,

dhe bëri be për atë që rron në shekuj të shekujve, që krijoi qiellin dhe gjërat që janë në të, tokën dhe gjërat që janë në të, detin dhe gjërat që janë në të, se nuk do të vonohet më.

por në ditët kur engjëlli i shtatë të bëjë të dëgjohet zëri i tij, kur ai t’i bjerë borisë do të zbatohet misteri i Perëndisë, ashtu si ai e ua shpalli shërbëtorëve të tij, profetëve.

Dhe zëri që kisha dëgjuar nga qielli më foli përsëri dhe tha: "Shko, merr libërthin e hapur që ndodhet në dorën e engjëllit që rri mbi det e mbi dhe".

Dhe shkova tek engjëlli dhe i thashë: “Më jep libërthin.” Dhe ai më tha: “Merre dhe gllabëroje atë dhe ai do ta hidhërojë të brëndëshmet e tua, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.”

10 Dhe e mora libërthin nga dora e engjëllit, dhe si e gllabërova; dhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; dhe, mbasi e gllabërova, barku im u hidhërua.

11 Dhe ai më tha: “Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër.”

11 Dhe m’u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: “Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,

dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

Dhe unë do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.

Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.

Dhe, nëse ndokush dëshiron t’u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t’u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.

Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.

Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t’i mundë ata, dhe do t’i vrasë.

Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.

Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.

10 Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t’i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe.”

11 Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin.

12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart.” Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.

13 Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.

14 Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.

15 Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshnin: “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.”

16 Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,

17 duke thënë: “Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron.

18 Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t’u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun.”

19 Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri.

12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.

Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.

Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.

Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.

Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.

Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,

por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.

Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.

11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.

12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”

13 Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull.

14 Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit.

15 Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi,

16 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet.

17 Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.