Add parallel Print Page Options

13 Dhe u ndala mbi rërën e detit. Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë krerë, dhe mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie.

Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh.

Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës.

Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: “Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?.”

Dhe iu dha një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet të veprojë për dyzet e dy muaj.

Dhe ajo hapi gojën e vet për të blasfemuar kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata që banojnë në qiell.

Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër të shenjtorëve dhe t’i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb.

Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.

Kush ka veshë, le të dëgjojë.

10 Kush e çon tjetrin në robëri, në robëri do të bjerë; kush vret me shpatë, duhet edhe ai të vritet me shpatë. Këtu është qëndrueshmëria dhe besimi i shenjtorëve.

11 Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua.

12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj dhe bënte që dheu dhe banorët e tij të adhurojnë bishën e parë, së cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.

13 Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve,

14 dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës, duke u thënë banorëve të dheut t’i bëjnë një figurë bishës, që kishte plagën e shpatës dhe u kthye në jetë.

15 Dhe iu dha t’i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin.

16 Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,

17 dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.

18 Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.

14 Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.

Dhe dëgjova pastaj një zë nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si ai i kitaristëve që u bien qesteve së tyre.

Ata këndonin një këngë të ri përpara fronit, përpara katër qenjeve të gjalla dhe përpara pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.

Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjit, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerezit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin.

Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.

Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,

dhe thoshte me zë të madh: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave.”

Pastaj një tjetër ëngjëll shkoi pas tyre, duke thënë: “Ra, ra Babilona, qyteti i madh që u ka dhënë të pinë të gjithë kombeve verën e zemërimit të kurvërimit të saj.”

Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: “Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet,

10 do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.

11 Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj.”

12 Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit.

13 Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: “Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin.”

14 Pastaj pashë një re të bardhë, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur një i ngjashëm me një Bir njeriu, i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.

15 Një engjëll tjetër doli nga tempulli, duke i thirrur me zë të madh atij që ulej mbi re: “Vër dorë mbi drapërin tënd dhe korr, sepse ora e të korrurit ka ardhur dhe të korrat e dheut janë pjekur.”

16 Atëherë ai që ulej mbi re e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe dheu u korr.

17 Pastaj një engjëll tjetër doli nga tempulli që është në qiell, duke mbajtur dhe ai një drapër të mprehtë.

18 Dhe një engjëll tjetër, që kishte pushtet mbi zjarrin, doli nga altari dhe i thirri me zë të madhe atij që kishte drapërin e mprehtë, duke thënë: “Vëre në punë drapërin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të dheut, sepse rrushi i tyre është pjekur.”

19 Atëherë engjëlli e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë.

20 Dhe voza u shtrydh jashtë qytetit dhe nga voza doli gjak deri te frerët e kuajve, për njëmijë e gjashtëqind stade.

15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.

Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,

dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.

Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”

Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë.

Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari.

Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve.

Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.

16 Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: “Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë.”

I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.

Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.

Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.

Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: “Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.

Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë.”

Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: “Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta.”

Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr.

Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t’i japin lavdi atij.

10 Dhe engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; dhe mbretëria e tij u mbulua me terr; dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhembja,

11 dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulçerët e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre.

12 Pastaj engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij në lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha për të bërë gati udhën e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit.

13 Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave.

14 Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.

15 “Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij.”

16 Dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet “Armagedon.”

17 Pastaj engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në erë; dhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: “U bë.”

18 Atëherë shkrepën zëra bubullima dhe vetëtima, dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh.

19 Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t’i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar.

20 Dhe çdo ishull iku, edhe malet nuk u gjetën më.

21 Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit; edhe njerëzit blasfemuan Perëndinë për plagën e breshërit; sepse plaga e tij ishte me të vërtetë e madhe.