Add parallel Print Page Options

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.

Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.

Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.

Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.

Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,

sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.

99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.

Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.

Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.

Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.

Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.

Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.

Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.

Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.

102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.

Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.

Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.

Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.

Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.

I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.

Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.

Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.

Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.

10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.

11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.

13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.

14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.

15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.

17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.

18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,

19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,

20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;

21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,

22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.

23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.

24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.

25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;

26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.

27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.

28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".