Add parallel Print Page Options

95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.

Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.

Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.

Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.

Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,

sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.

99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.