A A A A A
Bible Book List

Psalmet 70-73 Albanian Bible (ALB)

70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.

Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".

Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.

71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.

Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.

Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.

Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.

Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.

Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.

Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.

Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.

Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.

10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,

11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".

12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.

13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.

14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.

15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.

16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.

17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.

18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.

19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?

20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.

21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.

22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.

23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.

24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.

Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.

Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.

Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.

Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.

Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.

Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.

Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.

E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,

11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".

12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.

13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.

14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.

15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.

16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.

17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.

18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.

19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!

20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.

21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,

22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.

23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.

24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.

25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.

26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.

27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.

28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.

  Back

1 of 1

You'll get this book and many others when you join Bible Gateway Plus. Learn more

Viewing of
Cross references
Footnotes