Add parallel Print Page Options

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.

Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.

Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.

Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)

Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.

Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!

Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.

Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.

Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.

49 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës,

qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok.

Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim.

Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë.

Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi,

ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre?

Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij,

sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë,

për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën.

10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre.

11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre.

12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë.

13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela)

14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t’i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre.

15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela)

16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet,

17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.

18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh),

19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën.

20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken.

50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".