Add parallel Print Page Options

32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!

Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.

Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.

Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)

Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.

Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.

Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.

11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

86 Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar.

Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën.

Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim.

Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.

Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.

Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.

Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.

Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.

10 Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.

11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.

12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.

13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.

14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.

15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.

17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.