Add parallel Print Page Options

17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.

Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.

Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.

Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.

Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.

Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.

Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.

Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,

nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.

10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.

11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.

12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.

13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.

14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.

15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.

18 "Të dua, o Zot, forca ime.

Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.

Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.

Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.

Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.

Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.

Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.

Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.

Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;

10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.

11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.

14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.

15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.

16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.

17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.

18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,

19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.

20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,

21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,

22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.

23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.

25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.

26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,

27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;

28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,

29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.

30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.

31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?

32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.

33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;

34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.

35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.

37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.

38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;

40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.

41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.

42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.

43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.

45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.

46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!

47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;

48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.

49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.

50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.

Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;

Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)

Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.

Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.

Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.

Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.

Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.