Add parallel Print Page Options

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?

A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?

A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!

Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.

Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?

Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.

Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?

Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.

A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët,

10 as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

11 Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.

12 Çdo gjë më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme; çdo gjë më lejohet, por unë nuk do të nënshtrohem asnjërës.

13 Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia do të shkatërrojë edhe këtë edhe atë; por trupi nuk është për kurvëri, po për Zotin, dhe Zoti për trupin.

14 Tani Perëndia siç e ringjalli Zotin kështu do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij.

15 A nuk e dini ju se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr, pra, unë gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj gjymtyrë të një kurve? mos qoftë ashtu!

16 A nuk e dini ju se ai që bashkohet me një kurvë bëhet një trup me të? Sepse thuhet: “Do të jenë të dy, thotë Zoti, një mish i vetëm.”

17 Por ai që bashkohet me Zotin është një frymë me të.

18 Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

19 A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?

20 Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.