Add parallel Print Page Options

Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,

sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.

Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,

ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.

Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;

mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.

Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.

Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.

Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".

10 Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.

11 Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.

12 Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.

13 Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.

14 Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;

15 evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.

16 Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;

17 ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.

18 Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.

19 Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t’i rrëzojë.

20 Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;

21 mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;

22 sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.

23 Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.

24 Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.

25 Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.

26 Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.

27 Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.

Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,

me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.

Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;

por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.

Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.

Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.

Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.

Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,

për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.

10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,

11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,

12 dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?

13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.

14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".

15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.

16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?

17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.

18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.

19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?

21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,

je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.

Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.

Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;

çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.

Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.

Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;

e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.

Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?

10 Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t’u çlodhur,

11 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

12 Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;

13 luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;

14 ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.

15 Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.

16 Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:

17 sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,

18 zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,

19 dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.

20 Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.

21 Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.

22 Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.

23 Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,

24 për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.

25 Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.

26 Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.

27 A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?

28 A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?

29 Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

30 Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;

31 por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.

32 Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.

33 Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë.

34 sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.

35 Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t’i bëjnë shumë dhurata.