Add parallel Print Page Options

25 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.

Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.

Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.

Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.

Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.

Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,

sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart," se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.

Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.

Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,

10 me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.

11 Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.

12 Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.

13 Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.

14 Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.

15 Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.

16 Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.

17 Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.

18 Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.

19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.

20 Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.

21 Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,

22 sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.

23 Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.

24 Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

25 Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

27 Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.

28 Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.

26 Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.

Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.

Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.

Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.

Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.

Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.

Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.

10 Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.

11 Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

12 A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

13 Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

14 Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

15 Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.

16 Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

17 Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.

18 Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,

19 kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".

20 Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.

21 Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.

22 Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.

23 Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.

24 Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.

25 Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.

26 Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.

27 Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.

28 Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.

Sa për shërbesën në dobi të shenjtorëve, është e tepërt t’ju shkruaj,

sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te Maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë.

Unë i dërgova këta vëllezër, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë për këtë gjë dhe me qëllim, sikurse thoja, të jeni gati,

sepse, po të vinin me mua disa Maqedonas dhe të mos ju gjenin gati, ne (të mos them ju), do të dilnim të turpëruar për besimin dhe mburrjen tonë.

Prandaj m’u duk e nevojshme t’i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo kopracie.

Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.

Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.

Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,

sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi.”

10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;

11 dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë.

12 Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë,

13 sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë.

14 Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju.

15 Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.