Add parallel Print Page Options

24 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,

sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.

Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.

Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.

Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.

Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.

Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.

Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.

Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.

10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.

11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.

12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim," ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t’i japë secilit simbas veprave të tij.

13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.

14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,

16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.

17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,

18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,

20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;

22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?

23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë," do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.

29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t’ia bëj edhe unë; do t’ia kthej simbas sjelljes së tij".

30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend;

31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.

32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:

33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;

34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

25 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.

Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.

Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.

Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.

Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.

Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,

sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart," se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.

Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.

Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,

10 me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.

11 Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.

12 Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.

13 Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.

14 Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.

15 Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.

16 Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.

17 Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.

18 Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.

19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.

20 Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.

21 Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,

22 sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.

23 Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.

24 Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

25 Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

27 Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.

28 Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.

26 Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.

Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.

Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.

Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.

Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.

Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.

Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.

10 Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.

11 Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

12 A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

13 Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

14 Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

15 Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.

16 Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

17 Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.

18 Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,

19 kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".

20 Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.

21 Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.

22 Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.

23 Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.

24 Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.

25 Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.

26 Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.

27 Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.

28 Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.