Add parallel Print Page Options

22 Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.

I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.

Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.

Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.

Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.

Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.

I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.

Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.

Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.

10 Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.

11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.

12 Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.

13 Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".

14 Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.

15 Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.

16 Ai që shtyp të varfërin për t’u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.

17 Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.

18 sepse për ty do të jetë e këndshme t’i ruash në intimitetin tënd dhe t’i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.

19 Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.

20 A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,

21 në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t’u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?

22 Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,

23 sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t’u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.

24 Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,

25 që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.

26 Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.

27 Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?

28 Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.

29 A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.

23 Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;

dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.

Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.

Mos u lodh për t’u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.

A do t’i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.

Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;

sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.

Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.

Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.

10 Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,

11 sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.

12 Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.

13 Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;

14 do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.

15 Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;

16 zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.

17 Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;

18 sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

19 Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.

20 Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;

21 sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.

22 Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.

23 Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.

24 Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t’ia ndjejë gëzimin.

25 Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.

26 Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.

27 Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.

28 Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.

29 Për cilin janë "ah-ët," për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?

30 Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.

31 Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!

32 Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.

33 Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.

34 Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.

35 Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t’i kërkoj përsëri!".