Add parallel Print Page Options

16 Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.

Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.

Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.

Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t’i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.

Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.

Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.

18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

21 I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.

22 Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.

23 Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.

24 Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.

25 Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.

26 Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.

27 Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.

28 Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.

29 Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.

30 Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.

31 Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.

32 Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.

33 Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

17 Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.

Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit.

Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.

Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur.

Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.

Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare,

Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del.

Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.

10 Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.

11 Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.

12 Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.

13 E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen.

14 Të fillosh një grindje është sikur t’u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet.

15 Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.

16 Ç’duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?

17 Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.

18 Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij.

19 Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim.

20 Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe.

21 Atij që i lind një budalla do t’i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.

22 Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.

23 I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.

24 Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.

25 Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur.

26 Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.

27 Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.

28 Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.

18 Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.

Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.

Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.

Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.

Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.

Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.

Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.

Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.

Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.

10 Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.

11 Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.

12 Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.

13 Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.

14 Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?

15 Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.

16 Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.

17 I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.

18 Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.

19 Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.

20 Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.

21 Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.

22 Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.

23 I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.

24 Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.