Add parallel Print Page Options

13 Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.

Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.

Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.

Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.

I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.

Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.

Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.

Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.

Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.

10 Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.

11 Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t’i shtohet ajo.

12 Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.

13 Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.

14 Mësimet e të urtit janë burim jete për t’i evituar dikujt leqet e vdekjes.

15 Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.

16 Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.

17 Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.

18 Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.

19 Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.

20 Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.

21 E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.

22 Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.

23 Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.

24 Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.

25 I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.

14 Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.

Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.

Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.

Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.

Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.

Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.

Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.

Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.

Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.

10 Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.

11 Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.

12 Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.

13 Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.

14 Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.

15 Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.

16 Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.

17 Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.

18 Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.

19 Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.

20 Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.

21 Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.

22 A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.

23 Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.

24 Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.

25 Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.

26 Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.

27 Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.

28 Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.

29 Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.

30 Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.

31 Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.

32 I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.

33 Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.

34 Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.

35 Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.

15 Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.

Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.

Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.

Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.

Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.

Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.

Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.

Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.

Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.

10 Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.

11 Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!

12 Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.

13 Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.

14 Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.

15 Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.

16 Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.

17 Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.

18 Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.

19 Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.

20 Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.

21 Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.

22 Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.

23 Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!

24 Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.

25 Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t’i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.

26 Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.

27 Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.

28 Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.

29 Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.

30 Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.

31 Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.

32 Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.

33 Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.