Abdia
Albanian Bible
1 Vegimi i Abdias. Kështu thotë Zoti, Zoti, për Edomin: "Ne kemi dëgjuar një mesazh nga Zoti dhe një ambasador është dërguar midis kombeve për të thënë: "Lëvizni dhe të ngrihemi kundër tij për të luftuar".
2 Ja, unë do të të bëj të vogël midis kombeve; ti do të jesh shumë i përbuzur.
3 Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, ku ke bërë banesën tënde të lartë, që thua në zemrën tënde: Kush do të më zbresë për tokë??"
4 Edhe sikur ti të ngrihesh lart si një shqiponjë dhe ta vije folenë tënde midis yjeve, unë do të të zbres nga atje lart," thotë Zoti.
5 "Po të të vinin natën cuba ose kusarë, si do të shkatërroheshe! A nuk do të vidhnin aq sa u mjafton? Po të të vinin vjelësit e rrushit, a nuk do të linin disa vile për të mbledhur?
6 Oh, sa do ta zhbirojnë Esaun, si do t’i rrëmojnë skutat e tij!
7 Tërë aleatët e tu do të të shtrëngojnë në kufi, ata që ishin në paqe me ty do të të mashtrojnë dhe do të kenë epërsi mbi ty; ata që hanë bukën tënde do të kurdisin gracka; por ai nuk e kupton këtë.
8 Atë ditë," thotë Zoti, "unë do të zhduk nga Edomi njerëzit e ditur dhe nga mali i Esaut mënçurinë.
9 Atëherë trimat e tu do t’i zërë tmerri, o Teman, derisa çdo njeri të shfaroset nga mali i Esaut në masakër.
10 Për shkak të dhunës kundër vëllait tënd Jakob, turpi do të të mbulojë dhe do të shfarosesh përjetë.
11 Sepse ti ishe i pranishëm ditën që ti rrije mënjanë, ditën që të huajt e çonin në robëri ushtrinë e tij dhe të huajt hynin nga portat e tij dhe hidhnin në short fatet e Jeruzalemit, edhe ti ishe si një prej tyre.
12 Por ti nuk duhet të shikoje me gëzim ditën e vëllait tënd, ditën e fatkeqësisë së tij, as duhet të gëzoheshe për bijtë e Judës ditën e shkatërrimit të tyre dhe as të flisje me arrogancë ditën e fatkeqësisë së tyre.
13 Nuk duhet të hyje nga porta e popullit tim, ditën e fatkeqësisë së tij, as të sodisje edhe ti me kënaqësi mjerimin e tij, ditën e fatkeqësisë së tij dhe as të shtrije duart mbi pasuritë e tij ditën e fatkeqësisë së tij.
14 Nuk duhet të viheshe në udhëkryqet për të masakruar ikanakët e tij dhe as t’i jepje në dorë të armikut ata që kishin mbijetuar ditën e fatkeqësisë.
15 Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde.
16 Sepse ashtu si keni pirë mbi malin tim të shenjtë, kështu do të pinë tërë kombet vazhdimisht; po, do të pinë, do të rrëkëllejnë dhe do të jenë si të mos kenë qenë kurrë".
17 "Por mbi malin e Sionit do të jenë ata që mbijetuan dhe do të jetë një vend i shenjtë; dhe shtëpia e Jakobit do të shtjerë në dorë pronat e veta.
18 Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t’i mbetet asnjë trashëgimtar," sepse ka folur Zoti.
19 Ata të Negevit do të zotërojnë malin e Esaut dhe fushën e vendit të Filistejve; do të zotërojnë edhe fushat e Efraimit dhe fushat e Samarisë dhe Beniamini do të zotërojë Galaadin.
20 Mërgimtarët e kësaj ushtrie të bijve të Izraelit që ndodhen midis Kananeasve, do të zotërojnë vendin deri në Sarepta, mërgimtarët e Jeruzalemit që ndodhen në Sefarad do të zotërojnë qytetet e Negevit.
21 Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit.
Psalmet 82-83
Albanian Bible
82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.
2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)
3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.
4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.
5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.
6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".
8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.
6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,
7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;
8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)
9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,
10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.
11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,
12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".
13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.
14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.
16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.