Add parallel Print Page Options

31 Pastaj Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë: "Merrua hakun bijve të Izraelit kundër Madianitëve;

pas kësaj do të bashkohesh me popullin tënd".

Atëherë Moisiu i foli popullit, duke thënë; "Disa njerëz ndër ju të armatosen për luftë dhe të marshojnë kundër Madianit për të kryer hakmarrjen e Zotit mbi Madianin.

Do të dërgoni në luftë një mijë burra nga çdo fis, nga të gjitha fiset e Izraelit".

Kështu u rekrutuan ndër divizionet e Izraelit një mijë burra nga çdo fis, domethënë dymbëdhjetë mijë burra, të armatosur për luftë.

Pastaj Moisiu i nisi për luftë, njëmijë njerëz nga çdo fis, së bashku me Finehasin, birin e priftit Eleazar, që kishte në dorë veglat e shenjta dhe boritë e alarmit.

Dhe luftuan kundër Madianit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, dhe vranë tërë meshkujt.

Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Madianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Madianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit.

Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Madianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre;

10 pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre,

11 dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë:

12 pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

13 Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t’i takuar jashtë kampit.

14 Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte.

15 Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë?

16 Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit.

17 Prandaj vrisni çdo mashkull nga fëmijët dhe vrisni çdo grua që ka marrëdhënie seksuale me një burrë,

18 por ruajini të gjalla për vete të gjitha vajzat që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.

19 Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj.

20 Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri".

21 Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut:

22 vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin,

23 çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t’i rezistojnë zjarrit, do t’i trajtoni me ujë.

24 Dhe ditën e shtatë do të lani rrobat tuaja dhe do të jeni të pastër; pas kësaj mund të hyni në kamp".

25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

26 "Ti, me gjithë priftin Eleazar dhe me kryefamiljarët e asamblesë, llogarite tërë plaçkën e zënë, njerëzit dhe bagëtinë;

27 dhe ndaje plaçkën midis atyre që kanë marrë pjesë në luftë dhe që kanë vajtur të luftojnë dhe gjithë asamblesë.

28 Do të marrësh nga luftëtarët që kanë vajtur të luftojnë një haraç për Zotin; domethënë një të pesëqindtën e personave, të bagëtive të imta dhe të trasha dhe të gomarëve.

29 Do të marrësh nga gjysma e tyre dhe do t’ia japësh priftit Eleazar si një ofertë për Zotin.

30 Dhe nga gjysma që u takon bijve të Izraelit do të marrësh një të pesëdhjetën e personave, të bagëtisë së imët dhe të trashë dhe nga gomarët do t’u japësh Levitëve, që kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit".

31 Dhe Moisiu e prifti Eleazar vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

32 Dhe plaçka që mbetej nga plaçkitja e kryer nga luftëtarët përbëhej nga gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë dele,

33 shtatëdhjetë e dy mijë lopë,

34 gjashtëdhjetë e një mijë gomarë,

35 dhe tridhjetë e dy mijë persona gjithsej, domethënë gra që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra.

36 Gjysma, domethënë pjesa për ata që kishin shkuar në luftë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,

37 nga të cilat gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë për haraçin e Zotit;

38 tridhjetë e gjashtë mijë lopë, nga të cilat shtatëdhjetë e dy për haraçin e Zotit;

39 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë, nga të cilët gjashtëdhjetë e një për haraçin e Zotit;

40 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona, nga të cilët tridhjetë e dy për haraçin e Zotit.

41 Kështu Moisiu i dha haraçin, që ishte oferta e ngritur e Zotit, priftit Eleazar, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.

42 Gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, që Moisiu kishte ndarë nga pjesa që u takonte njerëzve që kishin shkuar në luftë,

43 gjysma që i përkiste asamblesë, ishte treqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind dele,

44 tridhjetë e gjashtë mijë lopë,

45 tridhjetë mijë e pesëqind gomarë,

46 dhe gjashtëmbëdhjetë mijë persona.

47 Nga gjysma që u përkiste bijve të Izraelit, Moisiu mori një të pesëdhjetën e njerëzve dhe të kafshëve, dhe ua dha Levitëve të cilët kanë përgjegjësinë e tabernakullit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

48 Komandantët e mijësheve të ushtrisë, krerët e mijësheve dhe të qindësheve, iu afruan Moisiut;

49 dhe ata i thanë Moisiut: "Shërbëtorët e tu kanë bërë llogarinë e luftëtarëve që ishin nën urdhrat tona, dhe nuk mungonte asnjëri prej tyre.

50 Prandaj ne po sjellim, si ofertë për Zotin, sendet e arit që secili ka gjetur: zinxhirë, byzylykë, unaza, vathë dhe gjerdanë për të bërë shlyerjen për ne përpara Zotit.

51 Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar morën nga duart e tyre tërë objektet e punuara.

52 Tërë ari i ofertës që ata i paraqitën Zotit nga ana e krerëve të mijësheve dhe nga ana e krerëve të qindëshëve, peshonte gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë sikla.

53 (Njerëzit e ushtrisë mbajtën për vete plaçkën që kishin siguruar).

54 Moisiu dhe prifti Eleazar morën pastaj arin nga krerët e mijëshëve dhe të qindësheve dhe e çuan në çadrën e mbledhjes, si kujtim i bijve të Izraelit përpara Zotit.

32 Bijtë e Rubenit dhe bijtë e Gadit kishin një sasi jashtëzakonisht të madhe bagëtish; dhe kur panë që vendi i Jazerit dhe vendi i Galaadit ishin një tokë e përshtatshme për të rritur bagëti,

bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë:

"Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni,

vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti".

Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin".

Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu?

Pse duhet të demoralizoni zemrat e bijve të Izraelit që të hyjnë në vendin që u ka dhënë Zoti?

Kështu vepruan etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barneu për ta vëzhguar vendin.

U ngjitën deri në luginën e Eshkolit; dhe, pasi e panë vendin, i demoralizuan zemrat e bijve të Izraelit, dhe kështu këta nuk hynë në vendin që Zoti u kishte dhënë.

10 Kështu zemërimi i Zotit u ndez atë ditë dhe ai u betua, duke thënë:

11 "Me siguri asnjë nga njerëzit, që kanë ardhur nga vendi i Egjiptit në moshën njëzet e një vjeç e lart nuk do ta shohë kurrë vendin që jam betuar t’u jap Abrahamit, Isaut dhe Jakobit, sepse ata nuk më kanë ndjekur plotësisht,

12 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufeut, i quajtur Kenizeu, dhe të Jozueut, birit të Nunit, sepse këta e kanë ndjekur plotësisht Zotin".

13 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit; dhe ai bëri të enden dyzet vjet në shkretëtirë, deri sa mbaroi gjithë brezi që kishte bërë të këqia para Zotit.

14 Dhe ja, ju po zini vendin e etërve tuaj, një farë mëkatarësh, për të rritur edhe më zemërimin e zjarrtë të Zotit kundër Izraelit.

15 Sepse, po të refuzoni të shkoni pas tij, ai do të vazhdojë ta lërë Izraelin në shkretëtirë, dhe ju do të shkaktoni humbjen e tërë këtij populli".

16 Atëherë ata iu afruan Moisiut dhe i thanë: "Ne do të ndërtojmë këtu vathë për bagëtinë tonë dhe qytete për të vegjlit tanë;

17 por ne jemi gati të marshojmë me armë në krye të bijve të Izraelit, deri sa t’i çojmë në vendin e tyre; ndërkaq të vegjlit tanë do të banojnë në qytetet e fortifikuara për shkak të banorëve të vendit.

18 Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa secili nga bijtë e Izraelit të ketë shtënë në dorë trashëgiminë e tij,

19 sepse nuk do të pranojë asnjë trashëgimi bashkë me ta matanë Jordanit dhe më tutje, sepse trashëgimia jonë na ra nga kjo anë e Jordanit, në drejtim të lindjes".

20 Atëherë Moisiu u tha atyre: "Në rast se bëni këtë, në rast se armatoseni për luftë para Zotit,

21 dhe tërë njerëzit e armatosur kalojnë Jordanin para Zotit, deri sa ai t’i ketë dëbuar armiqtë e tij nga prania e tij

22 dhe toka të jetë nënshtruar para Zotit dhe mbas kësaj ju ktheheni prapa, atëherë nuk do të jeni fajtorë para Zotit dhe para Izraelit, dhe ky vend do të jetë prona juaj para Zotit.

23 Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë.

24 Ndërtoni qytete për të vegjlit tuaj dhe vathë për kopetë tuaja, dhe bëni atë që goja juaj ka thënë".

25 Dhe bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit i folën Moisiut duke i thënë: Shërbëtorët e tu do të bëjnë ashtu si urdhëron zotëria im..

26 Të vegjlit tanë, bashkëshortet tona, kopetë tona dhe tërë bagëtia jonë do të mbeten këtu në qytetet e Galaadit;

27 por shërbëtorët e tu, tërë njerëzit e armatosur për luftë, do ta kalojnë Jordanin për të luftuar para Zotit ashtu siç thotë zotëria ime".

28 Atëherë Moisiu u dha porosi për ta priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryefamiljarëve të fiseve të bijve të Izraelit.

29 Moisiu u tha atyre: "Në rast se bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, tërë njerëzit e armatosur për të luftuar para Zotit, dhe vendi do të nënshtrohet para jush, do t’u jepni atyre si pronë vendin e Galaadit.

30 Por në rast se nuk e kalojnë Jordanin të armatosur bashkë me ju, do të kenë prona në mes jush në vendin e Kanaanit".

31 Atëherë bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit u përgjigjën duke thënë: "Do të veprojmë ashtu si u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu.

32 Do ta kalojmë Jordanin të armatosur para Zotit në vendin e Kanaanit, me qëllim që zotërimi i trashëgimisë sonë të mbetet nga kjo anë e Jordanit".

33 Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manasit, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashabit, vendin me qytetet përreth.

34 Kështu bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarothin, Aroerin,

35 Atroth-Shofanin, Jaazerin, Jogbehahun,

36 Beth-Nimrahun dhe Beth-Aranin, qytete të fortifikuara, dhe vathë për kopetë e bagëtive.

37 Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjathaimin,

38 Neboh dhe Baal-Meonin (emrat e tyre janë ndryshuar) dhe Sibmahun; dhe u vunë emra të tjerë qyteteve që ndërtuan.

39 Dhe bijtë e Makirit, birit të Manasit, shkuan në vendin e Galaadit, e pushtuan dhe shpronësuan Amorejtë që banonin aty.

40 Kështu Moisiu i dha Galaadin Makirit, birit të Manasit, i cili u vendos aty.

41 Jairi, bir i Manasit, shkoi dhepushtoi fshatrat e tyre dhe i quajti Havoth-Jair.

42 Nobahu përkundrazi shkoi dhe pushtoi Kenathin me lagjet e tij të jashtme; dhe e quajti Nobah simbas emrit të tij.