Add parallel Print Page Options

23 Pastaj Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema dhe shtatë desh".

Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, pastaj Balaku dhe Balaami ofruan një dem të vogël dhe një dash mbi secilin altar.

Pastaj Balaami i tha Balakut: "Qëndro pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj; ndofta Zoti do të vijë të takohet me mua; dhe atë që ka për të më treguar do të ta njoftoj". Kështu ai shkoi në një bregore të zhveshur.

Dhe Perëndia i doli përpara Balaamit, dhe Balaami i tha: "Unë kam përgatitur shtatë altarë dhe kam ofruar nga një dem të vogël dhe nga një dash për çdo altar".

Atëherë Zoti i vuri një mesazh në gojë Balaamit dhe i tha: "Kthehu te Balaku dhe foli kështu".

U kthye tek ai, dhe ja, ai qëndronte pranë olokaustit, ai dhe të gjithë prijësit e Moabit.

Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Balaku, mbret i Moabit, më ka sjellë nga Arami, nga malet e Lindjes: "Eja, mallko për mua Jakobin, eja dhe padit Izraelin!".

Si mund të mallkoj atë që Zoti nuk e ka mallkuar? Si mund të padis atë që Zoti nuk e ka paditur?

Unë e shoh nga maja e shkëmbinjve dhe e sodis nga lartësitë; ja, është një popull që qëndron vetëm dhe nuk është përfshirë në gjirin e kombeve.

10 Kush mund të llogarisë pluhurin e Jakobit apo të numërojë çerekun e Izraelit? Vdeksha unë si njerëzit e drejtë dhe qoftë fundi im i njëllojtë me atë të tyren!".

11 Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Ç’më bëre? Të mora që të mallkosh armiqtë e mi, kurse ti i bekove me të madhe".

12 Por ai u përgjigj dhe tha: "A nuk duhet të kujdesem unë të them me të shpejtë atë që Zoti më vë në gojë?".

13 Pastaj Balaku i tha: "Eja, pra, me mua në një vend tjetër, prej ku mund ta shikosh, megjithëse ke për të parë vetëm skajin e tij dhe nuk e ke për ta parë të tërë, dhe që andej do ta mallkosh për mua".

14 Kështu e çoi në kampin e Tsofimit, në majë të Pisgahut; aty ndërtoi shtatë altarë dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.

15 Balaami i tha pastaj Balakut: "Qëndro këtu pranë olokaustit tënd dhe unë do të shkoj të takohem me Zotin atje lart".

16 Dhe Zoti i doli përpara Balaamit, i vuri një mesazh në gojë dhe i tha: Kthehu te Balaku dhe foli kështuu".

17 Kështu u kthye tek ai, dhe ja, që ai rrinte pranë olokaustit të tij me prijësit e Moabit. Balaku i tha: "Çfarë ka thënë Zoti?".

18 Atëherë Balaami shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Çohu, Balak, dhe dëgjo! Rri veshngrehur, bir i Tsiporit!

19 Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?

20 Ja, unë mora urdhrin që të bekoj; po, ai ka bekuar dhe unë nuk do ta heq bekimin e tij.

21 Ai nuk ka vërejtur paudhësi te Jakobi dhe nuk ka parë përdhosje tek Izraeli. Zoti, Perëndia i tij, është me të, dhe klithma e një mbreti është midis tyre.

22 Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit.

23 Nuk ka magji kundër Jakobit, nuk ka shortari kundër Izraelit. Tani duhet të themi ç’ka bërë Perëndia me Jakobin dhe Izraelin.

24 Ja, një popull do të ngrihet si një luaneshë dhe si një luan; dhe nuk do të mblidhet para se të ketë gëlltitur prenë dhe të ketë pirë gjakun e atyre që ka vrarë".

25 Atëherë Balaku i tha Balaamit: "Mos e mallko aspak, por as mos e beko".

26 Por Balaami iu përgjigj dhe i tha Balakut: "A nuk të kam thënë vallë që unë do të bëj tërë ato që do të thoshte Zoti?".

27 Pastaj Balaku i tha Balaamit: "Eja me mua, unë do të të çoj në një vend tjetër; ndofta do t’i pëlqejë Perëndisë që ti ta mallkosh për mua që andej".

28 Kështu Balaku e çoi Balaamin në majë të Peorit, që sundon shkretëtirën.

29 Dhe Balaami i tha Balakut: "Më ndërto këtu shtatë altarë dhe më përgatit këtu shtatë dema të vegjël dhe shtatë desh".

30 Dhe Balaku bëri ashtu siç i kishte thënë Balaami, dhe ofroi një dem të vogël dhe një dash mbi çdo altar.

24 Kur Balaami u bind se në sytë e Zotit ishte një gjë e mirë të bekoje Izraelin, nuk përdori si herët e tjera magjinë, por ktheu fytyrën nga shkretëtira.

Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë.

Atëherë shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit, kështu thotë njeriu, sytë e të cilit janë hapur,

kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Perëndisë, ai që kundron vizionin e të Plotfuqishmit, ai që rrëzohet, por syçelë:

"Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!

Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si kedra pranë ujërave.

Do të derdhë ujë nga kovat e tij, pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta, mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu dhe mbretëria e tij do të lartësohet.

Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit. Ai do të gëlltisë kombet armike për të, do të coptojë kockat e tyre dhe do t’i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.

Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë; kush do të guxojë ta çojë? Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!"".

10 Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.

11 Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t’i marrësh".

12 Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:

13 "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.

14 Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t’i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".

15 Atëherë ai shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit; kështu thotë njeriu sytë e të cilit janë hapur,

16 kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Zotit, që njeh shkencën e të Lartit, që sodit vizionin e të Plotfuqishmit, ai që bie por syçelë:

17 E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye dhe do të rrëzojë tërë bijtë e Shethit.

18 Edomi do të bëhet pronë e tij, po ashtu edhe Seiri, armiku i tij, do të bëhet pronë e tij; Izraeli do të kryejë trimërira.

19 Nga Jakobi do të dalë një sundues që do të shfarosë ata qytetarë që kanë mbijetuar.

20 Pastaj shikoi nga ana e Amalekut dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: "Amaleku ishte i pari i kombeve, por fundi i tij do të kulmojë në shkatërrim".

21 Shikoi edhe nga Kenejtë dhe shqiptoi orakullin e tij, duke thënë: Banesa jote është e fortë dhe foleja jote është vendosur në shkëmb;;

22 megjithatë Keneu do të shkretohet, për deri sa Asiri do të të çojë në robëri".

23 Pastaj shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Medet! Kush do të mbetet gjallë kur Zoti ta ketë kryer këtë?

24 Por anije do të vinë nga Kitimi, do të poshtërojnë Asurin dhe Eberin, dhe ai do të shkatërrohet gjithashtu".

25 Pastaj Balaami u ngrit, u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij; edhe Balaku iku në rrugën e tij. e Moabit

25 Ndërsa Izraeli ndodhej në Shitim, populli filloi të shthurret me bijat e Moabit.

Ato e ftuan popullin të kryejë flijime për perënditë e tyre dhe populli hëngri dhe ra përmbys përpara perëndive të tyre.

Kështu Izraeli u bashkua me Baal-Peorin, dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit.

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Merr të gjithë krerët e popullit, vriti e vari para Zotit përjashta, në diell me qëllim që zemërimi i zjarrtë i Zotit të largohet nga Izraeli".

Kështu u foli Moisiu gjykatësve të Izraelit: "Secili nga ju të vrasë ata njerëz të tij që janë bashkuar me Baal-Peorin".

Dhe ja, që një nga bijtë e Izraelit erdhi dhe u paraqiti vëllezërve të tij një grua madianite, para syve të Moisiut dhe tërë asamblesë së bijve të Izraelit, ndërsa këta po qanin në hyrjen e çadrës së mbledhjes.

Duke parë këtë skenë, Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, u ngrit në mes të asamblesë dhe mori në dorë një shtizë,

ndoqi pastaj burrin e Izraelit në alkovën e tij dhe i shpoi që të dy, burrin e Izraelit dhe gruan, në pjesën e poshtme të barkut. Kështu u ndal fatkeqësia në mes të bijve të Izraelit.

Nga kjo fatkeqësi vdiqën njëzet e katër mijë veta.

10 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

11 "Finehasi, bir i Eleazarit, që ishte bir i priftit Aaron, e largoi zemërimin tim nga bijtë e Izraelit, sepse ai ishte i frymëzuar nga po ajo xhelozia ime; kështu në xhelozinë time nuk i kam shfarosur bijtë e Izraelit.

12 Prandaj i thuaj: "Ja, unë po lidh një aleancë paqeje me të,

13 që do të jetë për të dhe për pasardhësit pas tij besëlidhja e një priftërie të përjetshme, sepse është treguar i zellshëm për Perëndinë e tij dhe ka kryer shlyerjen e fajit për bijtë e Izraelit".

14 Burri i Izraelit, që u vra bashkë me gruan madianite, quhej Zimri, bir i Salut, i pari i një shtëpie patriarkale të Simeonitëve.

15 Dhe gruaja që u vra, Madianitja, quhej Kozbi, bijë e Tsurit, që ishte i pari i një shtëpie patriarkale në Madian.

16 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

17 "Bjeruni Madianitëve dhe i sulmoni,

18 sepse ju kanë rënë më qafë me dredhitë e tyre dhe ju kanë mashtruar në rastin e Peorit dhe në atë të Kozbit, bijë e një princi të Madianit, motër e tyre, që u vra ditën e fatkeqësisë për çështjen e Peorit".

14 Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:

15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.

16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!

17 Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.

18 Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,

19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?.” Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.

20 Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.

21 Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,

22 vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.

23 Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut.”

24 Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.

25 Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.

26 Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;

27 por Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve.”

28 Por ajo u përgjigj dhe i tha: “Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!”

29 Atëherë ai i tha: “Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!.”

30 Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.

31 Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.

32 Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t’i vërë duart mbi të.

33 Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.

34 Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha,” që do të thotë: “Hapu!.”

35 Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.

37 Dhe, të habitur shumë, thonin: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!.”

Read full chapter