Add parallel Print Page Options

18 Pastaj Zoti i tha Aaronit: "Ti, bijtë e tu, dhe shtëpia e atit tënd bashkë me ty, do të mbani barrën e paudhësive të kryera kundër shenjtërores, dhe ti e bijtë e tu do të mbani barrën e paudhësive të kryera gjatë ushtrimit të priftërisë suaj.

Do të afrosh gjithashtu vëllezërit e tu, fisin e Levit, fisin e atit tënd, me qëllim që të bashkohen me ty dhe të të shërbejnë, kur ti dhe bijtë e tu do të jeni para çadrës së dëshmisë.

Ata do të të shërbejnë ty dhe do të kryejnë tërë detyrat e çadrës; por nuk do t’u afrohen orendive të shenjtërores dhe altarit, përndryshe do të vdisni së bashku, ti dhe ata.

Ata do të bashkohen me ty dhe do të kryejnë të gjitha detyrat e çadrës së mbledhjes që lidhen me punën në çadër, por asnjë i huaj nuk do t’ju afrohet juve.

Ju do të kryeni, pra, shërbimin e shenjtërores dhe të altarit, që të mos ketë më zemërim kundër bijve të Izraelit.

Ja, unë vetë mora vëllezërit tuaj, Levitët, nga mesi i bijve të Izraelit; ata ju janë dhënë dhuratë nga Zoti për të kryer shërbimet e çadrës së mbledhjes.

Por ti dhe bijtë e tu do të ushtroni priftërinë tuaj për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me altarin dhe që ndodhen matanë velit; dhe do të kryeni shërbimin tuaj. Unë ju jap priftërinë tuaj si një dhuratë për shërbimin, por i huaji që do të afrohet do të vritet".

Zoti i foli akoma Aaronit, duke i thënë: "Ja, unë të besoj kujdesin e ofertave të mia të larta, të të gjitha gjërave të shenjtëruara të bijve të Izraelit; t’i jap ty dhe bijve të tu si një statut të përjetshëm për shkak të vajosjes suaj.

Kjo do të të takojë nga gjërat shumë të shenjta të pakonsumuara në zjarr: të gjitha ofertat e tyre, domethënë çdo blatim ushqimor, çdo flijim për mëkatin dhe çdo flijim për shkeljen e bërë që do të më paraqesin, janë gjëra shumë të shenjta që të përkasin ty dhe bijve të tu.

10 Do t’i hash në vend shumë të shenjtë; do t’i hajë çdo mashkull; do të jenë për ty gjëra të shenjta.

11 Do të të përkasin ty edhe këto: dhuratat që bijtë e Izraelit do të paraqesin për ngritje dhe të gjitha ofertat e tyre të tundura; unë t’i jap ty, bijve të tu dhe bijave të tua, si një statut i përjetshëm. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t’i hajë.

12 Pjesa më e mirë e vajit, e mushtit dhe e grurit, prodhimet e para që i japin Zotit, unë t’i jap ty.

13 Prodhimet e para të të gjitha gjërave që prodhon toka dhe që ata i paraqesin Zotit, do të jenë tuajat. Kushdo që është i pastër në shtëpinë tënde mund t’i hajë.

14 Çdo gjë e shenjtëruar në Izrael do të jetë jotja.

15 Çdo pjellje e parë e çdo mishi që ata do t’i ofrojnë Zotit, qoftë të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, do të jetë jotja; por me siguri do të shpengosh të parëlindurin e njeriut dhe do të shpengosh pjelljen e parë të kafshëve të papastra.

16 Dhe ata që duhet të shpengosh, do t’i shpengosh në moshën një muajsh, simbas vlerësimit tënd, për pesë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, që është njëzet gere.

17 Por nuk do të shpengosh pjelljen e parë të lopës, të deles dhe të dhisë; janë gjëra të shenjta; do të spërkatësh gjakun e tyre mbi altarin dhe do të tymosësh dhjamin e tyre si flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.

18 Mishi i tyre do të jetë yti; do të jetë yti si gjoksi i ofertës së tundur ashtu dhe kofsha e djathtë.

19 Unë të jap ty, bijve dhe bijave të tua bashkë me ty, si statut të përjetshëm, të gjitha ofertat e larta të gjërave të shenjta që bijtë e Izraelit i paraqesin Zotit. Éshtë një besëlidhje e kripës dhe e përjetshme përpara Zotit, për ty dhe për pasardhësit e tu".

20 Zoti i tha akoma Aaronit: "Ti nuk do të kesh asnjë trashëgimi në vendin e tyre dhe nuk do të kesh pjesë në mes tyre; unë jam pjesa jote dhe trashëgimia jote në mes të bijve të Izraelit.

21 Ja, bijve të Levit unë u lë si trashëgim të gjitha të dhjetat në Izrael në këmbim të shërbimit që kryejnë, shërbimin e çadrës së mbledhjes.

22 Dhe bijtë e Izraelit nuk do t’i afrohen më çadrës së mbledhjes, përndryshe do të ngarkoheshin me një mëkat dhe do të vdisnin.

23 Shërbimin në çadrën e mbledhjes do ta bëjnë vetëm Levitët; dhe këta do të mbajnë barrën e paudhësive të tyre; do të jetë një statut i përjetshëm për gjithë brezat tuaj; dhe nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit;

24 sepse unë u jap si trashëgimi Levitëve të dhjetat që bijtë e Izraelit do t’i paraqesin Zotit si një ofertë të lartë; prandaj u thashë atyre: "Nuk do të kenë asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit"".

25 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

26 "Folu Levitëve dhe u thuaj atyre: Kur do të merrni nga bijtë e Izraelit të dhjetat që unë ju jap nga ana e tyre si trashëgiminë tuaj, do t’i bëni një ofertë të lartë Zotit, një të dhjetën e së dhjetës;

27 dhe oferta juaj e lartë do t’ju llogaritet si gruri që vjen nga lëmi dhe si bollëku i mushtit të butit.

28 Kështu edhe ju do t’i bëni një ofertë të lartë Zotit nga të gjitha të dhjetat që do të merrni nga bijtë e Izraelit, dhe nga ato do të jepni ofertën e lartë të Zotit priftit Aaron.

29 Nga të gjitha gjërat që ju kanë dhuruar, do t’i ofroni ofertën e lartë Zotit, nga pjesa më e mirë, pjesën e shenjtëruar.

30 Prandaj do t’u thuash atyre: "Kur të keni ofruar më të mirën, ajo që mbetet do t’u llogaritet Levitëve si prodhim i lëmit dhe si prodhim i mushtit të butit.

31 Mund ta hani në çfarëdo vend, ju dhe familja juaj, sepse është shpërblimi juaj për shërbimin tuaj në çadrën e mbledhjes.

32 Kështu nuk do të jeni fajtorë të asnjë mëkati, sepse keni ofruar gjërat më të mira; por nuk do të përdhosni gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, përndryshe do të vdisni"".

19 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

"Ky është statuti i ligjit që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: "U thuaj bijve të Izraelit që të sjellin një mëshqerrë të kuqe, pa të meta dhe mbi të cilën nuk është vënë asnjë zgjedhë.

Do t’ia jepni priftit Eleazar, që do ta çojë jashtë kampit dhe do ta therë në praninë tuaj.

Prifti Eleazar do të marrë me gisht pak gjak të saj dhe do ta spërkasë shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes;

pastaj do t’i vihet zjarri mëshqerrës para syve të tij; lëkura e saj, mishi i saj, gjaku i saj dhe ndyrësirat e saj do të digjen.

Pastaj prifti do të marrë dru kedri, hisopi dhe copë të kuqërremtë dhe do t’i hedhë në mes të zjarrit që po djeg mëshqerrën.

Pastaj prifti do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë dhe do të kthehet në kamp; prifti do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

Edhe ai që ka djegur mëshqerrën do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

Një njeri i pastër do të mbledhë hirin e mëshqerrës dhe do ta depozitojë jashtë kampit në një vend të pastër, ku do të ruhet për asamblenë e bijve të Izraelit si një pastrim: shërben për t’u pastruar nga mëkati.

10 Dhe ai që ka grumbulluar hirin e mëshqerrës, duhet të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Ky do të jetë një statut i përjetshëm për bijtë e Izraelit dhe për të huajin që banon midis tyre.

11 Kush prek një trup të vdekur të çfarëdo personi do të jetë i papastër shtatë ditë.

12 Ai do të pastrohet me atë ujë ditën e tretë dhe të shtatë, dhe do të jetë i pastër; por në rast se nuk pastrohet ditën e tretë dhe të shtatë, nuk do të jetë i pastër.

13 Kushdo që prek trupin e një personi të vdekur dhe nuk pastrohet, ndot banesën e Zotit, ky person do të shfaroset nga gjiri i Izraelit. Me qenë se uji i pastrimit nuk u spërkat mbi të, ai është i papastër; papastërtia e tij është akoma mbi të.

14 Ky është një ligj për atë që vdes në një çadër: kushdo që hyn në çadër dhe kushdo që është në çadër do të jenë të papastër për shtatë ditë.

15 Dhe çdo enë e hapur, mbi të cilën nuk është vënë kapaku, do të jetë e papastër.

16 Kushdo që në fushë prek një person të vrarë me shpatë ose që ka pësuar vdekje të natyrshme, ose prek një kockë njeriu ose një varr, do të jetë i papastër për shtatë ditë.

17 Dhe për një person të papastër do të merret hiri i viktimës së djegur për ta pastruar nga mëkati dhe nga një enë do të derdhet mbi të ujë i rrjedhshëm;

18 pastaj një njeri i pastër do të marrë hisop, do ta fusë në ujë dhe do të spërkatë çadrën, të gjitha veglat, tërë personat që ndodhen aty dhe atë që ka prekur një kockë, ose të vrarin ose të vdekurin nga vdekja e natyrshme ose varrin.

19 Njeriu i pastër do të spërkatë të papastrin ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ditën e shtatë njeriu i papastër do të pastrohet; do të lajë rrobat dhe veten e tij me ujë, dhe në mbrëmje do të jetë i pastër.

20 Por ai që është i papastër dhe nuk pastrohet, do të shfaroset në mes të asamblesë, sepse ka ndotur shenjtëroren e Zotit; uji i pastrimit nuk është spërkatur mbi të; ai është i papastër.

21 Ky do të jetë një statut i përjetshëm. Ai që spërkat ujin e pastrimit do të lajë rrobat e tij, dhe ai që prek ujin e pastrimit do të jetë i papastër deri në mbrëmje.

22 Çdo gjë që prek personi i papastër do të jetë e papastër; dhe personi që prek atë do të jetë i pastër deri në mbrëmje"".

20 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit arriti në shkretëtirën e Sinit në muajin e parë dhe populli qëndroi në Kadesh. Këtu vdiq dhe u varros Miriami.

Por mungonte uji për asamblenë, prandaj u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit.

Kështu populli u grind me Moisiun dhe i foli, duke i thënë: "Të kishim vdekur kur vdiqën vëllezërit tanë para Zotit!

Pse e çuat asamblenë e Zotit në këtë shkretëtirë që të vdesim, ne dhe bagëtia jonë?

Dhe pse na bëtë të dalim nga Egjipti për të na sjellë në këtë vend të keq? Nuk është një vend që prodhon grurë, fiq, rrush ose shegë dhe mungon uji për të pirë".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni u larguan nga asambleja për të vajtur në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe ranë përmbys me fytyrën për tokë; dhe lavdia e Zotit iu shfaq atyre.

Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t’u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre".

Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.

10 Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?".

11 Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë.

12 Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre".

13 Këto janë ujërat e Meribës ku bijtë e Izraelit u grindën me Zotin, dhe ky u tregua i Shenjtë në mes tyre.

14 Pastaj Moisiu dërgoi lajmëtarë në Kadesh te mbreti i Edomit për t’i thënë: "Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: Ti i njeh të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar,

15 si zbritën etërit tanë në Egjipt dhe ne qëndruam një kohë të gjatë në atë vend, dhe Egjiptasit na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë.

16 Por, kur i thirrëm Zotit, ai e dëgjoi zërin tonë dhe dërgoi një Engjëll dhe na nxori nga Egjipti; dhe tani jemi në Kadesh, një qytet në afërsi të kufijve tuaj.

17 Po na lejo të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të shkelim as arat as vreshtat tuaja, nuk do të pijmë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas, deri sa të kalojmë kufijtë e tu".

18 Por Edomi iu përgjigj: "Ti nuk do të kalosh nëpër territorin tim, përndryshe do të të kundërvihem me shpatë".

19 Bijtë e Izraelit i thanë: "Ne do të ngjitemi nga rruga kryesore; dhe në rast se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do të ta paguajmë; na lejo vetëm të kalojmë më këmbë dhe asgjë më tepër".

20 Por ai u përgjigj: "Nuk do të kaloni!".

21  Dhe Edomi refuzoi të lejojë kalimin e Izraelit nëpër territorin e tij; kështu Izraeli u largua prej tij.

22 Atëherë bijtë e Izraelit, tërë asambleja u nisën nga Kadeshi dhe arritën në malin Hor.

23 Dhe Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit në malin Hor, në kufijtë e vendit të Edomit, duke thënë:

24 "Aaroni po bashkohet me popullin e tij, dhe nuk ka për të hyrë në vendin që u kam dhënë bijve të Izraelit, sepse keni ngritur krye kundër urdhrit tim në ujërat e Meribës.

25 Merr Aaronin dhe Eleazarin, birin e tij, dhe çoji lart, në malin e Horit.

26 Zhvishe Aaronin nga rrobat e tij dhe vishja të birit, Eleazarit; dhe aty Aaroni do të bashkohet me popullin e tij dhe do të vdesë".

27 Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti; dhe ata hipën mbi malin e Horit para syve të të gjithë asamblesë.

28 Moisiu ia zhveshi rrobat Aaronit dhe ia veshi Eleazarit, birit të tij; dhe Aaroni vdiq aty, në majë të malit. Pastaj Moisiu dhe Eleazari zbritën nga mali.

29 Kur tërë asambleja pa që Aaroni kishte vdekur, e tërë shtëpia e Izraelit e qau Aaronin për tridhjetë ditë.