Add parallel Print Page Options

14 Atëherë tërë asambleja ngriti zërin dhe filloi të bërtasë; dhe atë natë populli qau.

Dhe të gjithë bijtë e Izraelit murmurisnin kundër Moisiut dhe kundër Aaronit dhe tërë asambleja u tha atyre: "Sikur të kishim vdekur në vendin e Egjiptit ose të kishim vdekur në këtë shkretëtirë!

Pse Zoti na çon në këtë vend që të biem nga goditja e shpatave? Gratë dhe fëmijët tanë do të bëhen pre e armikut. A nuk do të ishte më mirë për ne të kthehemi në Egjipt?".

Dhe i thanë njëri tjetrit: "Të zgjedhim një kryetar dhe të kthehemi në Egjipt!".

Atëherë Moisiu dhe Aaroni ranë përmbys përpara tërë asamblesë së mbledhur të bijve të Izraelit.

Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jenufehut, që ishin ndër ata që kishin vëzhguar vendin, grisën rrobat e tyre,

dhe i folën kështu asamblesë së bijve të Izraelit: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend i mirë, shumë i mirë.

Në rast se Zoti kënaqet me ne, do të na çojë në këtë vend dhe do të na japë neve, "një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".

Vetëm mos ngrini krye kundër Zotit dhe mos kini frikë nga populli i vendit, sepse ai do të jetë ushqimi ynë; mbrojtja e tyre është larguar nga ata dhe Zoti është me ne; mos kini frikë nga ata".

10 Atëherë tërë asambleja foli për t’i vrarë me gurë; por lavdia e Zotit iu shfaq në çadrën e mbledhjes tërë bijve të Izraelit.

11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të më përçmojë ky popull? Dhe deri kur do të refuzojnë të besojnë pas gjithë atyre mrekullive që kam bërë në mes të tyre?

12 Unë do ta godas me murtajë dhe do ta shkatërroj, por do të bëj prej teje një komb më të madh dhe më të fuqishëm se ai".

13 Moisiu i tha Zotit: "Por do ta dëgjojnë Egjiptasit, nga mesi i të cilëve e ke ngritur këtë popull për fuqinë tënde,

14 dhe do t’ia bëjnë të ditur banorëve të këtij vendi. Ata kanë dëgjuar që ti, o Zot, je në mes të këtij populli, i shfaqesh atij sy për sy, që reja jote qëndron mbi ta dhe që ecën para tyre ditën në një kolonë reje dhe natën në një kolonë të zjarrtë.

15 Tani në se e bën këtë popull të vdesë si një njeri të vetëm, kombet që kanë dëgjuar namin tënd do të flasin, duke thënë:

16 "Me qenë se Zoti nuk ka qenë i zoti ta futë këtë popull në vendin që ishte betuar t’i jepte, e vrau në shkretëtirë".

17 Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë:

18 "Zoti është i ngadaltë në zemërim dhe i madh në mëshirë; ai fal padrejtësinë dhe mëkatin, por nuk lë pa ndëshkuar fajtorin, duke dënuar paudhësinë e etërve te bijtë, deri në brezin e tretë ose të katërt".

19 Fale paudhësinë e këtij populli, me madhështinë e mëshirës sate, ashtu siç e ke falur këtë popull nga Egjipti deri këtu".

20 Atëherë Zoti tha: "Unë fal, ashtu si kërkove ti;

21 por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë plot me lavdinë e Zotit,

22 dhe tërë këta njerëz që kanë parë lavdinë time dhe mrekullitë që kam bërë në Egjipt e në shkretëtirë, dhe më kanë tunduar dhjetë herë dhe nuk e kanë dëgjuar zërin tim,

23 me siguri nuk kanë për ta parë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre. Askush nga ata që më kanë përçmuar nuk ka për ta parë;

24 por shërbëtorin tim Kaleb, duke qenë se veproi i shtyrë nga një frymë tjetër e më ka ndjekur plotësisht, unë do ta fus në vendin ku ka shkuar; dhe pasardhësit e tij do ta zotërojnë.

25 Amalekitët dhe Kananejtë banojnë në luginë, nesër kthehuni prapa dhe nisuni drejt shkretëtirës, në drejtim të Detit të Kuq".

26 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

27 "Deri kur do të duroj këtë asamble të keqe që murmurit kundër meje? Unë dëgjova murmuritjet që bëjnë bijtë e Izraelit kundër meje.

28 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, unë do t’ju bëj atë që kam dëgjuar prej jush.

29 Kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë; ju të gjithë që jeni regjistruar, nga mosha njëzet vjeç e lart, dhe që keni murmuritur kundër meje,

30 nuk do të hyni me siguri në vendin ku u betova se do të banoni, me përjashtim të Kalebit, birit të Jefunehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.

31 Të vegjlit tuaj përkundrazi, që ju thatë se do të ishin viktima të armiqve, do t’i fus; dhe ata do të njohin vendin që ju keni përçmuar.

32 Por sa për ju, kufomat tuaja do të bien në këtë shkretëtirë.

33 Dhe bijtë tuaj do të kullosin kopetë në shkretëtirë dyzet vjet me radhë dhe do të mbajnë ndëshkimin për pabesitë tuaja, deri sa të treten kufomat tuaja në shkretëtirë.

34 Në bazë të numrit të ditëve që keni përdorur për të vëzhguar vendin, domethënë dyzet ditë, për çdo ditë do të mbani fajin tuaj një vit, gjithsej, pra, dyzet vjet; dhe kështu do të kuptoni se ç’do të thotë që unë jam tërhequr nga ju.

35 Unë, Zoti, fola; me siguri, kështu do të veproj kundër gjithë kësaj asambleje të keqe që u mblodh kundër meje; në këtë shkretëtirë do të treten dhe këtu do të vdesin".

36 Njerëzit që Moisiu kishte dërguar për të vëzhguar vendin, mbas kthimit të tyre e kishin shtyrë tërë asamblenë të murmuriste kundër tij, duke paraqitur një raport të keq për vendin,

37 ata njerëz, që kishin përpiluar raportin e keq për vendin, vdiqën nga një plagë përpara Zotit.

38 Por Jozueu, bir i Nunit, dhe Kalebi, bir i Jefunehut, mbetën të gjallë midis gjithë atyre që kishin shkuar të vëzhgonin vendin.

39 Atëherë Moisiu u njoftoi këto fjalë tërë bijve të Izraelit, dhe populli ndjeu një dhimbje të thellë.

40 U ngritën herët në mëngjes dhe u ngjitën në majë të malit, duke thënë: Ja ku jemi; ne do të ngjitemi në vendin për të cilin na foli Zoti, sepsee kemi mëkatuar".

41 Por Moisiu tha: "Pse e shkelni urdhrin e Zotit? Nuk ka për t’ju dalë mbarë.

42 Mos u ngjitni, sepse do t’ju mundin armiqtë tuaj, Zoti nuk është në mes jush.

43 Para jush në fakt ndodhen Amalekitët dhe Kananejtë, dhe ju do të rrëzoheni nga shpatat e tyre; sepse jeni larguar nga rruga e Zotit, Zoti nuk do të jetë me ju".

44 Me gjithë atë ata patën guximin të ngjiten në majë të malit; por arka e besëlidhjes së Zotit dhe Moisiu nuk lëvizën nga mesi i kampit.

45 Atëherë Amalekitët dhe Kananejtë, që banonin mbi këtë mal, zbritën poshtë, i thyen dhe i vunë përpara deri në Hormah.

15 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin ku duhet të banoni dhe që unë ju jap,

do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust apo një flijim për kryerjen e një kushti apo si ofertë vullnetare ose në festat tuaja të caktuara, për t’i bërë një erë të këndshme Zotit me një kafshë, të marrë nga kopeja e kafshëve të trasha a të imta,

ai që do të paraqesë ofertën e tij Zotit, do të ofrojë si blatim ushqimor një të dhjetën e efas majë mielli të përzier me një çerek hini vaji;

gjithashtu do t’i çosh një libacion prej një çerek hini verë së bashku me olokaustin ose flijimin, për çdo qengj.

Në qoftë se bëhet fjalë për një dash, do të çosh si blatim ushqimi dy të dhjeta efe majë mielli të përzier me një të tretë hini vaji,

dhe do të bësh një libacion vere prej një të trete hini si një ofertë me erë të këndshme për Zotin.

Por në rast se në vend të olokaustit ose të flijimit çon një dem të vogël, për kryerjen e një kushti apo të një flijimi falënderimi për Zotin,

së bashku me demin e vogël do të ofrohet, si blatim i ushqimit, majë mielli në një sasi tre të dhjeta të efas i përzier me gjysmë hini vaji;

10 dhe do të çosh si libacion gjysmë hini verë; është një flijim që bëhet me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin.

11 Kështu do të veprohet për çdo dem të vogël, për çdo dash, për çdo qengj ose kec, simbas numrit që përgatitni.

12 Do të veproni kështu për çdo kafshë që do të sillni.

13 Të gjithë ata që kanë lindur në vend do veprojnë kështu, kur do t’i ofrojnë një flijim me zjarr, me erë të këndshme Zotit.

14 Dhe në se një i huaj që banon me ju ose kushdo tjetër që të ndodhet me ju në brezat e ardhshëm, dëshiron të ofrojë një flijim të bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin, do të veprojë si ju.

15 Do të ketë një statut të vetëm për gjithë asamblenë, për ju dhe për të huajin që banon midis jush; do të jetë një statut i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj; ashtu siç jeni ju, ashtu do të jetë edhe i huaji përpara Zotit.

16 Do të jetë po ai ligj dhe po ai dekret për ju dhe për të huajin që banon me ju".

17 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

18 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të arrini në vendin ku po ju çoj unë,

19 dhe do të hani bukën e vendit, do t’i paraqisni Zotit një ofertë të lartë.

20 Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do të paraqisni një kulaç si ofertë e lartë; do ta paraqisni si një ofertë e lartë e lëmit.

21 Nga prodhimi i parë i brumit tuaj do t’i jepni Zotit një ofertë të lartë për gjithë brezat tuaj.

22 Në qoftë se keni kryer një mëkat nga padituria dhe nuk keni respektuar të gjitha këto urdhërime që Zoti i ka dhënë Moisiut,

23 të gjitha ato që Zoti ka urdhëruar me anë të Moisiut, nga dita që Zoti ju ka dhënë urdhra dhe më vonë për të gjitha brezat tuaj,

24 në qoftë se mëkati është kryer nga padituria, pa u marrë vesh nga asambleja, gjithë asambleja do të ofrojë një dem të vogël si olokaust me erë të këndshme për Zotin së bashku me blatimin e tij të ushqimit dhe libacionin e tij simbas asaj që është dekretuar, si dhe një kec si flijim për mëkatin.

25 Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për të gjithë asamblenë e bijve të Izraelit dhe ky mëkat do t’u falet, sepse është një mëkat i kryer nga padituria, dhe ata kanë sjellë ofertën e tyre, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, dhe flijimi i tyre për mëkatin, për mëkatin e tyre nga padituria përpara Zotit.

26 Do t’i falet tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe të huajit që banon midis tyre, sepse tërë populli e kreu këtë mëkat nga padituria.

27 Në qoftë se është një person i vetëm që kryen mëkatin nga padituria, ai të ofrojë një dhi motake si flijim për mëkatin.

28 Dhe prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për personin që ka mëkatuar nga padituria, kur e ka bërë pa njohjen e duhur; prifti do të bëjë shlyerjen për të dhe mëkati do t’i falet.

29 Si për ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit ose për një të huaj që banon midis jush, do të keni një ligj të vetëm për atë që mëkaton nga padituria.

30 Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij.

31 Sepse ka përçmuar fjalën e Zotit dhe ka dhunuar urdhërimet e tij; ky njeri duhet të shfaroset, do të mbajë barrën e paudhësisë së tij".

32 Ndërsa bijtë e Izraelit ishin në shkretëtirë, gjetën një njeri që mblidhte dru ditën e shtunë.

33 Ata që e gjetën duke mbledhur dru, e çuan te Moisiu, tek Aaroni dhe para tërë asamblesë.

34 Dhe e futën në burg, sepse nuk ishte përcaktuar akoma se ç’duhet t’i bënin.

35 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ky njeri duhet të vritet; e tërë asambleja do ta vrasë me gurë jashtë kampit".

36 Kështu tërë asambleja e çoi jashtë kampit dhe e vrau me gurë; dhe ai vdiq, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. Qëllimi i thekëve në rrobat

37 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

38 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre që të bëjnë brez pas brezi thekë në cepat e rrobave të tyre dhe të vënë në çdo cep një kordon në ngjyrë manushaqeje.

39 Do të jetë një thek të cilin do ta shikoni për të kujtuar të gjitha urdhërimet e Zotit dhe për t’i zbatuar, dhe jo për të ndjekur zemrën tuaj dhe sytë tuaja që ju çojnë në kurvërim.

40 Kështu do të kujtoni të gjitha urdhërimet e mia dhe do t’i zbatoni në praktikë, dhe do të jeni të shenjtë për Perëndinë tuaj.

41 Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qenë Perëndia juaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".