Add parallel Print Page Options

Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Zoti i kishte dhënë Izraelit.

Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin.

Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit.

Shkruesi Ezdra qëndronte mbi një tribunë prej druri që kishin bërë për këtë rast. Pranë tij ishin në të djathtë Matithiahu, Shema, Ananiahu, Uria, Hilkiahu dhe Maasejahu; në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkijahu, Hashumi, Hashbadana, Zakaria dhe Meshulami.

Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë.

Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen," duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit.

Jeshua, Bani, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabethai, Hodijahu, Maasejahu, Kelita, Azaria, Jozabadi, Hanani, Pelajahu dhe Levitët e ndihmonin popullin të kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në këmbë në vendin e tij.

Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.

Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe Levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!". Tërë populli në fakt, duke dëgjuar fjalët e ligjit, qante.

10 Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj".

11 Levitët e mbanin në heshtje tërë popullin, duke thënë: "Heshtni, sepse kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni!".

12 Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t’u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar.

13 Ditën e dytë, krerët e shtëpive atërore të të gjithë popullit, priftërinjtë dhe Levitët u mblodhën pranë Ezdras, shkruesit, për të dëgjuar fjalët e ligjit.

14 Gjetën të shkruar në ligj që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit duhet të banonin në kasolle gjatë festës së muajit të shtatë,

15 dhe në të gjitha qytetet e tyre dhe në Jeruzalem duhet të përhapnin dhe të shpallnin një njoftim në të cilin të thuhej: "Shkoni në mal dhe sillni andej degë ulliri, degë ullastre, degë mërsine, degë palme dhe degë me gjethe të dendura, për të bërë kasolle, siç është shkruar".

16 Atëherë populli shkoi jashtë dhe solli degët, dhe i ndërtoi kasollet, kush mbi çatinë e shtëpisë së tij, kush në oborrin e tij, të tjerë në oborret e shtëpisë së Perëndisë, në sheshin e portës të Ujërave dhe në sheshin e portës së Efraimit.

17 Kështu tërë asambleja e atyre që ishin kthyer nga robëria ndërtoi kasolle dhe banoi në to. Nga koha e Jozueut, birit të Nunit, e deri në atë ditë, bijtë e Izraelit nuk kishin bërë asgjë të tillë. Dhe qe një gëzim shumë i madh.

18 Ezdra lexoi librin e ligjit të Perëndisë çdo ditë, nga dita e parë deri në ditën e fundit. E kremtuan festën shtatë ditë; ditën e tetë pati një asamble solemne, siç e kërkon ligji.

Ditën e njëzetekatërt të po atij muaji, bijtë e Izraelit të veshur me thasë dhe të mbuluar me dhe, u mblodhën për një agjerim.

Ata që i përkisnin fisit të Izraelit u ndanë nga gjithë të huajt dhe u paraqitën për të rrëfyer mëkatet e tyre dhe paudhësitë e etërve të tyre.

Pastaj u ngritën në këmbë në vendin e tyre dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë të tyre, për një të katërtën pjesë të ditës; dhe për një të katër tjetër të ditës bënë rrëfimin e mëkateve që kishin bërë dhe ranë përmys përpara Zotit, Perëndisë të tyre.

Pastaj Jeshua, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu, Bani dhe Kenani u ngjitën mbi tribunën e Levitëve dhe i klithën me zë të lartë Zotit, Perëndisë të tyre.

Levitët Jeshua, Kadmiel, Bani, Hashabnejahu, Sherebiahu, Hodijahu, Shebanjahu dhe Pethahiahu thanë: "Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lëvdim!

Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.

Ti je Zoti, Perëndia që ka zgjedhur Abramin; e nxore nga Uri i Kaldeasve dhe i dhe emrin Abraham.

Ti e gjete zemrën e tij besnike para teje dhe bëre një besëlidhje me të për t’u dhënë pasardhësve të tij vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Jebusejve dhe të Girgasejve; ti e mbajte fjalën tënde; sepse je i drejtë.

Ti ke parë hidhërimin e etërve tanë në Egjipt dhe ke dëgjuar britmën e tyre pranë Detit të Kuq.

10 Ke bërë mrekulli dhe çudi kundër Faraonit, kundër tërë shërbëtorëve të tij dhe kundër tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata ishin sjellë me paturpësi me etërit tonë. Kështu i bëre një emër vetes që mbetet edhe sot.

11 Ti ke ndarë detin para tyre, dhe ata kaluan në mes të detit në të thatë, ndërsa ti i hidhje në humnerë ndjekësit e tyre si një gur në ujëra të furishme.

12 Ti i ke udhëhequr ditën me një kallonë reje dhe natën me një kollonë zjarri për t’i ndriçuar rrugën në të cilën do të ecnin.

13 Zbrite gjithashtu mbi malin Sinai, u fole nga qielli dhe u dhe dekrete të drejta dhe ligje të së vërtetës, statute dhe urdhërime të mira.

14 U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë dhe u dhe urdhërime, statute dhe një ligj me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd.

15 Ti gjithashtu u dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur dhe u bëre që të buronte ujë nga shkëmbi kur kishin etje; dhe i urdhërove ata të shkonin të merrnin në zotërim vendin që ishe betuar t’u jepje.

16 Por ata dhe etërit tanë u sollën me mendjemadhësi, e fortësuan zverkun e tyre dhe nuk iu bindën urdhërimeve të tua.

17 Kundërshtuan të bindeshin dhe nuk kujtuan mrekullitë që ti kishe bërë midis tyre; ngurtësuan përkundrazi zverkun e tyre dhe në rebelimin e tyre zgjodhën një kryetar për t’u kthyer në skllavërinë e tyre. Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi. Ti nuk i ke braktisur,

18 as atëherë kur bënë një viç prej metali të shkrirë dhe thanë: "Ky është perëndia yt që të nxori nga Egjipti!"; kështu bënë një gjë blasfeme.

19 Megjithatë në shpirtmadhësinë tënde të madhe nuk i ke braktisur në shkretëtirë; kollona e resë nuk u largua prej tyre gjatë ditës për t’i udhëhequr ata në ecje, dhe kollona e zjarrit gjatë natës për t’ua ndriçuar atyre rrugën nëpër të cilën do të ecnin.

20 Ke dhënë Frymën tënde të mirë për t’i mësuar; nuk ua ke refuzuar manën tënde gojëve të tyre dhe u ke dhënë ujë kur ishin të etur.

21 Për dyzet vjet i ke ushqyer në shkretëtirë, dhe nuk u ka munguar asgjë; rrobat e tyre nuk u prishën dhe këmbët e tyre nuk u ënjtën.

22 U dhe gjithashtu mbretëri dhe popuj, duke u caktuar krahinat më të largëta; kështu ata shtinë në dorë vendin e Sihonit, vendin e mbretit të Heshbonit dhe vendin e Ogut, mbretit të Bashanit.

23 I shumëzove bijtë e tyre si yjet e qiellit dhe i fute në vendin në të cilin u kishe thënë etërve të tyre të hynin për ta shtënë në dorë.

24 Kështu bijtë e tyre hynë dhe zotëruan vendin; ti ke poshtëruar para tyre banorët e vendit, Kananejtë, dhe i dhe në duart e tyre bashkë me mbretërit e tyre dhe me popujt e vendit, me qëllim që ata të bënin çfarë t’u pëlqente.

25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara dhe një tokë pjellore dhe hynë në zotërim të shtëpive plot me të mira, të sternave të gatshme, të vreshtave, të ullishteve dhe të pemëve frutore me bollëk; ata hëngrën, u ngopën, u majmën dhe jetuan në gëzim për shkak të mirësisë sate të madhe.

26 Megjithatë ata u treguan të pabindur, u rebeluan kundër teje, e hodhën ligjin tënd prapa krahëve, vranë profetët e tu që u bënin thirrje të riktheheshin te ti dhe kryen gjëra blasfeme.

27 Prandaj ti i dhe në duart e armiqve të tyre, që i shtypën; por në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre.

28 Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë.

29 Ti i nxisje të ktheheshin në ligjin tënd, por ata bëheshin krenarë dhe nuk u bindeshin urdhërimeve të tua, dhe mëkatonin kundër dekreteve të tua me anën e të cilëve, në qoftë se dikush i zbaton në praktikë, shpëton jetën; hiqnin shpatullat e tyre nga zgjedha, e fortësonin zverkun e tyre dhe kundërshtonin të bindeshin.

30 Pate durim me ta shumë vjet me radhë, duke i nxitur me Frymën tënde dhe me gojën e profetëve të tu, por ata nuk deshën të të dëgjojnë; atëherë ti i dhe në duart e popujve të vendeve të ndryshme.

31 Por në mëshirën tënde të madhe nuk i shkatërrove plotësisht dhe nuk i braktise, sepse je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm.

32 Tani pra, o Perëndia ynë, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe i tmerrshëm, që respekton besëlidhjen dhe mëshirën të mos të duket para teje si gjë e vogël fatkeqësia që ka rënë mbi ne, mbi mbretërit tanë, mbi krerët tanë, mbi priftërinjtë tanë, mbi profetët tanë, mbi prindërit tanë dhe mbi tërë popullin tënd, nga koha e mbretërve të Asirisë e deri në ditën e sotme.

33 Megjithatë ti ke qenë i drejtë në të gjitha gjërat që na kanë ndodhur, sepse ti ke vepruar me besnikëri, ndërsa ne kemi vepruar me pabesi.

34 Mbretërit tanë, krerët tanë, priftërinjtë tanë dhe etërit tanë nuk kanë zbatuar në praktikë ligjin tënd dhe as që u janë bindur urdhërimeve dhe porosive me të cilat i nxitje.

35 Edhe kur të gjendeshin në mbretërinë e tyre, në mirëqënien e madhe që ti u kishe siguruar atyre dhe në vendin e gjerë dhe pjellor që ti u kishe vënë në dispozicion, nuk të shërbyen dhe nuk i braktisën veprimet e tyre të këqija.

36 Dhe ja, sot jemi skllevër! jemi skllevër në vendin që u kishe dhënë etërve tanë, që të hanin frytet e tij dhe të gëzonin të mirat.

37 Kështu prodhimet e bollshme të tij u shkojnë mbretit që ti ke vendosur mbi ne për shkak të mëkateve tona; ata sundojnë trupat tona dhe mbi bagëtinë tonë ashtu si duan; dhe ne ndodhemi në ankth të madh.

38 Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur dhe e vëmë me të shkruar; dhe krerët tanë, Levitët tanë dhe priftërinjtë tanë do të vënë vulën e tyre mbi të.