Add parallel Print Page Options

Fjalët e Nehemias, birit të Hakaliahut. Ndodhi që në muajin e Kisleut, në vitin e njëzetë, ndërsa unë ndodhesha në kalanë e Suzës,

arriti në Judë Hanani, një nga vëllezërit e mi, bashkë me disa burra të tjerë. Unë i pyeta lidhur me Judejtë që kishin shpëtuar, që ishin kthyer gjallë nga robëria, dhe lidhur me Jeruzalemin.

Ata më thanë: "Ata që kanë shpëtuar nga robëria janë atje poshtë në krahinë, në një varfëri të madhe dhe me faqe të zezë; përveç kësaj muret e Jeruzalemit janë plot me të çara dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri".

Sa i dëgjova këto fjalë, u ula dhe qava; pastaj mbajta zi disa ditë me radhë, agjerova dhe u luta përpara Perëndisë të qiellit.

Dhe thashë: "Të lutem shumë, o Zot, Perëndia i qiellit, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që i qëndron besnik besëlidhjes dhe ke mëshirë për ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,

qofshin veshët e tua të vëmëndshëm dhe sytë e tu të hapur për të dëgjuar lutjen e shërbëtorit tënd që tani ta drejton ty ditën dhe natën për bijtë e Izraelit, shërbëtorë të tu, duke rrëfyer mëkatet e bijve të Izraelit, që ne kemi kryer kundër teje. Po, unë dhe shtëpia e atit tim kemi mëkatuar.

Jemi sjellë shumë keq me ty dhe nuk kemi respektuar urdhërimet, statutet dhe dekretet që ti i ke urdhëruar Moisiut, shërbëtorit tënd.

Mbaje mend fjalën që i urdhërove Moisiut, shërbëtorit tënd, duke i thënë: Në qoftë se do të mëkatoni, unë do t’ju shpërndaj midis popujve;;

por në rast se do të ktheheni tek unë dhe do të respektoni urdhërimet e mia, dhe do t’i zbatoni në praktikë, edhe sikur njerëzit tuaj të shpërndarë të jenë në kufijtë e qiellit, unë do t’i mbledh që andej dhe do t’i sjell përsëri në vendin që kam zgjedhur ku të banojë emri im".

10 Tani këta janë shërbëtorët e tu dhe populli yt, që ti i ke çliruar me fuqinë tënde të madhe dhe me dorën tënde të fortë.

11 O Zot, të lutem, qofshin veshët e tu të vëmëndshëm ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së shërbëtorëve të tu që ndjejnë kënaqësi kur kanë frikë prej emrit tënd; jepi, madje sot të lutem, një sukses të mirë shërbëtorit tënd, duke bërë që ai të gjejë zemërbutësi në sytë e këtij njeriu". Unë atëherë isha kupëmbajtësi i mbretit.

Në muajin e Nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij.

Prandaj mbreti më tha: "Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës". Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe,

dhe i thashë mbretit: "Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?".

Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit

dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë".

Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe.

Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit deri sa të arrijë në Judë,

dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua.

Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës.

10 Por kur Sanballati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit.

11 Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë.

12 Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.

13 Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri.

14 Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur.

15 Atëherë iu ngjita natën luginës, duke inspektuar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga porta e Luginës, dhe kështu u ktheva.

16 Zyrtarët nuk dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë Judejve, priftërinjve, parisë, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet.

17 Atëherë u thashë atyre: "Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilat ndodhemi: Jeruzalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani, t’i rindërtojmë muret e Jeruzalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!".

18 U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: "Të ngrihemi dhe t’i vihemi ndërtimit!". Kështu morën kurajo për t’i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme.

19 Por kur Sanbalati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori Amonit, dhe Geshemi, Arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit??".

20 Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: "Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, por për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jeruzalem".

Eliashibi, kryeprifti, u ngrit atëherë bashkë me vëllezërit e tij priftërinj dhe ndërtuan portën e Deleve; e shenjtëruan dhe ia vunë kanatet. Vazhduan të ndërtojnë deri në kullën e Meahut, që pastaj e shenjtëruan, dhe deri në kullën e Hananeelit.

Pranë Eliashibit ndërtuan njerëzit e Jerikos dhe pranë tyre ndërtoi Zakuri, bir i Imrit.

Bijtë e Senaahut ndërtuan portën e Peshqve, bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.

Pranë tyre punonte për riparimet Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit; pranë tyre për riparimet punonte Meshullami, bir i Berekiahut, që ishte bir i Meshezabeelit; pranë tyre punonte për riparimet Tsadoku, bir i Baanas;

pranë tyre për riparimet punonin Tekoitët; por fisnikët midis tyre nuk e ulën qafën për të bërë punën e Zotit të tyre.

Jehojada, bir i Paseahut, dhe Meshulami, bir i Besodejahut, restauruan portën e Vjetër; bënë kasën dhe vunë kanatet e saj, bravat dhe shufrat.

Pranë tyre punonin për riparimin e selisë së qeveritarit të krahinës matanë Lumit Melatiahu, Gabaoniti, Jadoni Meronithiti dhe njerëzit e Gabaonit dhe të Mitspahut.

Pranë tyre punonte për riparimet Uzieli, bir i Harhajahut, një ndër argjendarët; pranë tij punonte për riparimet Hananiahu, një nga parfumierët. Ata e përforcuan Jeruzalemin deri në Murin e Gjerë.

Pranë tyre punoi për riparimet Refajahu, bir i Hurit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.

10 Pranë tyre punonte për riparimet, përballë shtëpisë së tij, Jedajahu, bir i Harumafit; pranë tij punonin për riparimet Hatushi, bir i Hashabnejahut.

11 Malkijahu, bir i Harimit, dhe Hashshubi, bir i Pahath-Moabit, ndreqën një pjesë tjetër të mureve dhe kullën e Furrave.

12 Pranë tij punonte për riparimet, bashkë me bijat e tij, Shalumi, bir i Haloheshit, kryetar i gjysmës së rrethit të Jeruzalemit.

13 Hanuni dhe banorët e Zanoahit ndreqën portën e Luginës; e ndërtuan dhe i vunë kanatet, bravat dhe shufrat. Përveç kësaj ndreqën një mijë kubitë muri deri në portën e Plehut.

14 Malkijahu, bir i Rekabit, kryetar i rrethit të Beth-Hakeremit, ndreqi portën e Plehut; e ndërtoi, dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat.

15 Shalumi, bir i Kol-Hezeut, kryetar i rrethit të Mitspahut, ndreqi portën e Burimit; e ndërtoi, e mbuloi dhe i vuri kanatet, bravat dhe shufrat. Ndreqi gjithashtu murin e pishinës të Siloes, pranë kopshtit të mbretit, deri në shkallëzat që zbresin nga qyteti i Davidit.

16 Pas tij Nehemia, bir i Azbukut, kryetar i gjysmës së rrethit të Beth-Zurit, punoi për riparimet deri përpara varreve të Davidit, deri te pishina artificiale dhe deri te shtëpia e Trimave.

17 Pas tij punuan për riparimet Levitët, nën drejtimin e Rehumit, birit të Banit; pranë tij punonte për riparimet për rrethin e tij Hashabia, kryetar i gjysmës së rrethit të Keilahut.

18 Pas tij punuan për riparimet vëllezërit e tyre, nën mbikëqyrjen e Bavait, birit të Henadat, kryetar i gjysmës tjetër të rrethit të Keilahut.

19 Pranë tij Ezeri, bir i Jeshuas, kryetar i Mitspahut, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, përballë të përpjetës së arsenalit, në qoshe.

20 Mbas tij Baruku, bir i Zabait, riparoi me zell të madh një pjesë tjetër të mureve, nga qoshja deri te porta e shtëpisë së Eliashibit, kryepriftit.

21 Mbas tij Meremothi, bir i Urias, që ishte bir i Kotsit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga porta e shtëpisë së Eliashibit deri në skajin e shtëpisë së Eliashibit.

22 Mbas tij punuan për riparimet priftërinjtë që banonin përreth.

23 Mbas tyre Beniamini dhe Hashubi punuan për riparimet përballë shtëpisë së tyre. Mbas tyre Azaria, bir i Maasejahut, që ishte bir i Ananiahut, punoi për riparimet afër shtëpisë së tij.

24 Mbas tij Binui, bir i Henadadit, ndreqi një pjesë tjetër të mureve, nga shtëpia e Azarias deri në kthesë, domethënë në qoshe.

25 Palali, bir i Uzait, bëri riparime përballë kthesës dhe kullës që spikat nga shtëpia e epërme e mbretit, që ishte pranë oborrit të burgut. Mbas tij bëri riparime Pedajahu, bir i Paroshit.

26 Nethinejtë, që banonin mbi Ofelin, bënë riparime deri përpara portës së Ujërave, në drejtim të lindjes, dhe përballë kullës që spikaste.

27 Mbas tyre Tekoitët riparuan një pjesë tjetër të mureve, përballë kalasë së madhe që spikaste dhe deri në murin e Ofelit.

28 Mbi portën e Kuajve, priftërinjtë punuan në riparimet, secili përballë shtëpisë së vet.

29 Mbas tyre Tsadoku, bir i Imerit, punoi për riparimet përballë shtëpisë së tij. Mbas tij punoi Shemajahu, bir i Shekaniahut, që ishte rojtar i portës lindore.

30 Mbas tij Hananiahu, bir i Shelemiahut, dhe Hanuni, biri i gjashtë i Tsalafit, riparuan një pjesë tjetër të mureve. Mbas tyre Meshullami, bir i Berekiahut, punoi për riparimet përballë banesës së tij.

31 Mbas tij Malkijahu, një nga argjendarët, mori pjesë në riparimet deri në shtëpitë e Nethinejve dhe të tregtarëve, përballë portës së Mifkadit dhe deri në të përpjetën e qoshes.

32 Midis së përpjetës së qoshes dhe portës së Deleve punuan për riparimet argjendarët dhe tregtarët.